Është arrestuar autori i vrasjes së 23-vjeçarit Benard Tonuzi, vëllai i tij 26-vjeçar Florian Tonuzi. Ngjarja tragjike ndodhi një ditë më parë, në Maqellarë të Dibrës, ku vëllai i madh vrau të voglin, duke e goditur disa herë me thikë në oborrin e shtëpisë.
26-vjeçari është afruar pranë shtëpisë, në momentin që është ngritur kufoma për t’u çuar në varreza. Ai është parë nga djemtë e lagjes, të cilët e kanë thirrur, por ai është larguar menjëherë, duke u futur në një banesë të braktisur.
Forca të shumta të FNSH dhe Policisë së Dibrës, të armatosur me kallashnikovë dhe anti-plumba, i janë afruar banesës së braktisur, pasi u dha sinjali se autori fshihet aty.
Në videon e postuar nga BW shihet momenti kur forcat e FNSH futen në banesë, por autori ka lënë aty vetëm këpucët dhe është larguar. Ai është kapur pak minuta më vonë brenda lagjes, ku ndodhi krimi tragjik.
NJOFTIMI I POLICISE
Dibër
Vihet në pranga, autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në fshatin Allabegi, ku humbi jetën një 23 vjeçar.
Operacioni i finalizuar nga DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër në bashkëpunim me DVP Dibër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në mesnatën e datës 29.04.2021, në Maqellarë, kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe si rezultat u bë e mundur gjetja e vendodhjes dhe kapja e shtetasit F. T., 26 vjeç, i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Kurbeg, Maqellarë.
Ky shtetas për motive të dobëta, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës vëllain e tij, i cili si pasojë e plagëve humbi jetën në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
