Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratës së kryetarit demokrat Lulzim Basha se 25 prilli ishte masakër elektorale.
Rama thotë se humbësit fokusohen tek fituesit, por mandati i tretë sipas tij nuk do i ngjajë dy të parëve, teksa thotë se është ende e hapur ftesa për bashkëpunim.
“Humbësit fokusohen tek fituesit. Fituesit fokusohen tek fitorja!Mandati ynë i Tretë nuk do t’i ngjajë dy të parëve në raport me humbësit.Ata le të merren me ne, ne do të merremi me ngjitjen e Shqipërisë në majë.Dora jonë për ta do jetë e shtrirë.Ftesa jonë për ta është e hapur! Shqipëria meriton shumëfishimin e përpjekjeve tona dhe të gjitha energjitë ne do t’i harxhojmë vetëm për triumfin e këtij vendi, që e duam kampion të Ballkanit në turizëm, energji, bujqësi, inovacion e shërbime digjitale për qytetarët!Lufta e vjetër politike s’është më puna jonë!”, shkruan Rama.
Basha u shpreh me herët se 25 prilli ishte masakër zgjedhore dhe se do të vijojë betejën në çdo front për të rrëzuar regjimin Rama-Doshi-Rakipi.