PSG është jashtë Ligës së Kampionëve teksa në mbrëmjen e djeshme u mposht edhe në ndeshjen e e kthimit ndaj Mançester Sitit. Me Mbapen jashtë për shkak të një dëmtimi, pasha binte mbi Nejmar. Mirëpo, braziliani tregoi pak në aspektin ekipor, ndërsa individualisht u mundua por ishte e pamjaftueshme. Dhe, në këtë linjë ka qenë edhe ish-trajneri Fabio Kapelo, i cili theksoi se sulmuesi ka bërë driblime të panevojshme në fushë dhe se nuk u dallua si një lider.
“Tek Siti, individualitetet janë në shërbim të skuadrës, ndërsa Nejmar nga ana tjetër kërkonte gjithnjë të futej në qendër, por nuk shërbeu asnjëherë për Ikardin. Te Siti janë të gjithë të përulur, vrapojnë, bëjnë presion, ndihmojnë dhe synojnë të fitojnë titullin.
Nejmar nuk më pëlqeu, shpresoja të jepte diçka më shumë. Ka bërë driblime të kota në zona të gabuara dhe shumë pak e arriti rolin e liderit. Nuk ia doli të udhëhiqte skuadrën dhe ta çonte drejt objektivit”, u shpreh Kapelo.
