SPAK kërkon pushimin e çështjes për Met Kananin, i cilësuar si ‘eskobari’ shqiptar.
SPAK kërkoi pushimin e çështjes edhe për tre persona të tjerë. Është kërkuar të pushohet çështja edhe për Armando Gjinin, që ka vdekur pas një atentati në Mirditë.
Met Kanani dhe dy anëtarët e grupit kriminal janë dënuar 30 vjet burg secili dhe u është bërë edhe sekuestrimi i pasurisë së tyre nga autoritetet turke.
18 persona u arrestuan në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, të vënë në zbatim falë bashkëpunimit ndërkombëtar mes Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Maqedonisë, Italisë me ndërmjetësimin e DEA-s, SELEC dhe oficerëve të kontaktit të vendeve respektive ku janë realizuar me sukses një sërë operacionesh policore përgjatë një viti.
Këta persona, të drejtuar nga i ashtuquajturi “Met Kanani”, vepronin si grup i strukturuar kriminal, për trafikimin e lendeve narkotike. Veprimtarinë kriminale e ushtronin në Shqipëri dhe në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian.
Policia kishte dyshime të forta se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së. Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së.
Nga të dhënat e policisë shqiptare, vetëm në Greqi, Turqi, Itali e Shqipëri këtij grupi i janë sekuestruar më shumë se 6 ton kanabis.
