Ky mund të jetë edicioni më i çuditshëm i La Liga, ku skuadrat me radhë po humbasin në mënyrë të pabesueshme rastin për të fituar titullin kampion. Në momentin kur vjen ndeshja vendimtare, ekipet dështojnë e kështu lënë gjithçka të hapur.
Dje, Barcelona nuk ia doli që të kalonte Atletiko Madrid në fushën e saj, duke u ndalur në një barazim pa gola e duke bërë që Reali të kishte shansin që të shkonte në vendin e parë nëse mundte Seviljen. Por madrilenët gabuan dhe u ndalën në shtëpi nga skuadra e Lopeteguit, duke rrezikuar që të humbnin sfidën.
Edhe pse dominoi ndeshjen, Reali e pa veten në disavantazh pas golit të Fernandos në pjesën e parë dhe u desh shumë mund për të barazuar me Asension. Minuta e 78 krijoi shumë polemika dhe ndoshta ishte vendimtarja e duelit. Pas një pretendimi për penallti të Seviljes, erdhi menjëherë një penallti për Realin. Por VAR sinjalizoi se duhej dhënë penallti rasti i parë e kështu Rakitiç kaloi në avantazh Seviljen përsëri.
Në fund, ishte një gol i Hazard në shtesë që solli barazimin 2-2, por që dukej si humbje për Realin pasi është përsëri në vendin e dytë dhe duhet që Atletiko të gabojë një nga ndeshjet e mbetura që të ketë shpresë për ta kapërcyer në renditje e për të bërë të tijin titullin kampion.
