Ditën e sotme në vendin tonë janë bërë 5.662 vaksinime anti COVID. Që nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë bërë 638.338 vaksinime. Shifrat i ka publikuar ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar, për disa kategori ku këtu përfshihen personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike si punonjës të fasonerive, operatorëve turistikë, policë, gazetarët dhe operatorët e terenit.
Vaksinimi masiv në vendin tonë vijon me rimte të shpejta aq sa qeveria ka shpallur objektivin për të vaksinuar 1 milionë qytetarë brenda muajit qershor. Çdo javë do të vijnë vaksina antiCOVID sipas kalendarit të lëvrimit të kontratave të siguruara në mënyrë që të arrihet sa më shpejt kryerja e 1 milion vaksinimeve në të gjithë vendin. Para 3 ditësh në vendin tonë mbërritën edhe 11700 doza të vaksinës Pfizer, duke e çuar numrin total të vaksinave të mbërritura në vend në më shumë se 760 mijë. Vijimi i procesit të vaksinimit masiv do të sjellë edhe një sezon turistik më të lehtësuar. Njëkohësisht edhe shifrat ditore të COVID kanë shënuar ulje drastike. Për 24 orë fundit janë raportuar 45 raste të reja dhe 3 humbje jete nga COVID.