Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet në tre ditët e fundit, ku në vendin tonë janë regjistruar ngjarje kriminale dhe brenda tre ditëve janë vrarë me armë zjarri tre persona.
Lala u shpreh se këto ngjarje kanë një formë të lartë organizimi dhe autorët janë të përgatitur. Siç u shpreh ajo duke marrë parasysh të tre ngjarjet është vepruar në mënyrë mafioze dhe janë vrarë vetëm shënjestrat duke mos prekur personat të cilët I shoqëronin.
“Këto vrasje janë mafioze sepse nga mënyra se si kanë vepruar duket që janë të përgatitur. Po ti shikosh për vrasjen në Vlorë duket se qëllojnë vetëm shënjestrën, pa prekur persona të tjerë dhe nga mënyra si largohen duket që e njohin zonën. Them që vrasja e Vlorës dërgon mesazhe sepse viktima kishte vetëm 3 javë që kishte ardhur nga Spanja, grupi kundërshtar ka vepruar me shpejtësi dhe ka pasur informacion të madh për të që tregon një formë të lartë organizimi. Në rastin konkret policia dyshon që është vrasje nga kundërshtarët e tij. Po të shihet makina e pret sepse dikush e ka sinjalizuar dhe nuk është djegur automjeti. Pista kryesore është trafiku i drogës.
Ngjarja e Elbasanit për mua nuk është surprizë, në Elbasan janë regjistruar vrasje të kalibrit të lartë. Shënjestra që është vrarë ka lëvizur nga njëra anë në anën tjetër të Elbasanit dhe ka shkuar te shtëpia e vjehrrit dhe flitet që një motor e ka ndjekur. Këto janë vrasje të organizuara, grupet u garantojnë atyre para për gjithë jetën që të mos flasin”, tha Lala për News24.
