Ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare, Kristian Panuçi, ka kaluar disa nga vitet më të mira të karrierë së tij si futbollisti si pjesë e Romës, klub ku që nga kjo verë trajner do të jetë Zhoze Murinjo. Një vendim të cilin Panuçi e ka mirëpritur dhe në një intervistë për mediat italiane, e ka vlerësuar si një lëvizje të goditur të drejtuesve.
“Portugezi ka zgjuar entuziazmin e pjacës, pasi është një personazh që e sjell një gjë të tillë. Unë pres që trajnerë të këtij kalibri të arrijnë të imponohen edhe në çështjet e merkatos dhe të blejnë lojtarët e duhur për të fituar”, komentoi fillimisht ai afrimin e Murinjos.
Më pas, erdhi radha e “këshillave” se si Murinjo duhej të vepronte për të kthyer Romën e madhe. “Murinjo duhet të jetë ai që e ndërton skuadrën, pa lojtarë nuk fitohet. Roma është një skuadër e re, duhet afruar eksperiencë, lojtarë të mësuar të fitojnë dhe të mësuar me presionin, ndaj lojtarë me personalitet. Derbi? Ta fitosh është gjithmonë e rëndësishme, është frymëmarrje. Unë gjithsesi mendoj se Fonseka, me atë që kishte në dispozicion, ka bërë një punë shumë të mirë”, ishin fjalët e Panuçit.
