Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se më 16 maj do të nisë larja e mureve të tunelit të Krrabës, çka do të sjellë kufizim në lëvizje.
Gjatë kohës që do të lahet një prej tubeve të tuneleve, do të jetë i lirë tjetri për qarkullimin në të dy kahet.
NJOFTIM PËR MEDIAT DHE OPINIONIN PUBLIK
Autoriteti Rrugor Shqiptar ju njofton se më datë 16.05.2021, nga ora 21:00-deri në orën 06:00 do të fillojë larja e mureve të Tunelit të Krrabës.
Duke pasur parasysh fluksin e madh të mjeteve që qarkullojnë në këtë objekt, rreth 15 mijë mjete në 24 orë, procesi i larjes do të realizohet gjatë orëve të natës, deri në mëngjes. Gjatë këtij orari do të punohet për larje në njërin tub, duke lënë të lirë për qarkullim tubin tjetër.
Ky proces do të përfundojë brenda një periudhe 30 ditore.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Rrugore, është hartuar Plani i Menaxhimit të Trafikut, i cili parashikon që gjatë natës, kur në njërin tub të punohet për larjen, të qarkullohet në tubin tjetër, me të dyja senset e lëvizjes, me shpejtësi të reduktuar dhe në prezencën e patrullave të Policisë Rrugore nga të dy anët e tunelit (Tiranës dhe Elbasanit).
Nga ana e Operatorit të Tunelit, janë marrë të gjitha masat për zbatimin e Planit të miratuar të Menaxhimit të Trafikut.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ARRSH udhëzon të gjithë drejtuesit e mjeteve që do të qarkullojnë në Tunelin e Krrabës gjatë orëve të natës, të zbatojnë sinjalistikën rrugore dhe mesazhet në tabelat elektronike të tunelit.
