Drejtuesja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po mbron vendimin për të lehtësuar udhëzimet për përdorimin e maskave për individët e vaksinuar plotësisht, duke theksuar se presioni politik në rritje nuk kishte asnjë lidhje me ndryshimin e menjëhershëm të udhëzimeve.
Drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky, tha të dielën për rrjetin televiziv FOX News se ajo mori vendimin menjëherë sapo shkenca e mundësoi atë. Deri më tani, më shumë se 156 milion amerikanë ose mbi 47% e popullsisë kanë marrë të paktën njërën dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Mbi 121 milion amerikanë janë vaksinuar plotësisht. Zonja Walensky paralajmëroi se edhe me udhëzimet e reja, ishte ende herët të deklarohet fitorja, por ajo shtoi se kishte optimizëm të kujdesshëm për pandeminë.
Sindikata më e madhe amerikane e infermierëve ka kritikuar udhëzimin e fundit të Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të mbajnë maska në shumicën e ambjenteve.
“Udhëzimi më i ri i CDC-së nuk bazohet në shkencë, nuk mbron shëndetin publik dhe kërcënon jetën e pacientëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të vijës së parë të frontit në të gjithë vendin”, tha në një deklaratë Drejtoresha Ekzekutiv i sindikatës, Bonnie Castillo. “Nuk është ende koha për të lehtësuar masat mbrojtëse dhe ne jemi të indinjuar që CDC-ja ka bërë pikërisht këtë gjë ndërsa ende jemi në mes të pandemisë më vdekjeprurëse të shekullit”.
Presidentja e sindikatës Jean Ross tha se “nëse CDC-ja do të kishte njohuri të plota shkencore mbi mënyrën se si transmetohet ky virus vdekjeprurës, ky udhëzim i ri nuk do të ishte lëshuar kurrë”.