Departamenti Amerikan i Shtetit ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka përdorur pushtetin se ka pasuruar familjen e tij.
Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Berisha i mori me radhë pjesëtarët e familjes duke treguar se sa kanë përfituar secili prej tyre. Ai tha se bashkëshortja e tij ka 15 vite që punon pa fituar asnjë qindarkë, ndërsa për të birin u shpreh se nuk ka përfituar asgjë nga sektori publik.
Përsa i përket vajzës, Berisha tha se ajo dhe bashkëshorti i saj u kthyen nga puna 7-vjeçare në Kosovë me 1 milion dollarë.
“Sali Berisha pas 30 viteve ka pasuri të shtuar 34 metër katrot më shumë se sa në diktaturë dhe aq kursime sa kam deklaruar në ILDKP. Nuk kam asnjë pasuri tjetër në Shqipëri apo në botë. Kushdo që ta gjejë, e ka të falur dhe unë bëhem përgjegjës. Nëse ky njeri në 30 vite punë arriti të shtojë gjithsej 34 metër katror shtëpinë e vet, mendon ti se do të pranonte të pasuronte të tjerët?
Bashkëshortja ime ka punuar gjithë jetën e vet në të njëjtën lagje, si kur kam qenë unë mjek, president apo kryeministër. Ajo s’ka qenë kurrë anëtare e asnjë bordi. Bashkëshortja ime mund të jetë nga më të paktat që ka 15 vite që punon pa asnjë qindarkë shpërblim dhe ka ngritur një shërbim ekselence të autizmit në Shqipëri. Është e nderuar me çmime të larta të autizmit, të grave demokrate e të tjera.
Djali im në jetën e tij ka marrë 3 ose 4 muaj rrogë në ndërmarrje publike dhe kurrë më asnjë rrigë. S’ka përfituar as edhe një qindarkë nga sektori publik. Nuk ka përfituar as nga përfituesit në sektorin publik. Ai nuk ka asnjë lidhje me Gërdecin, të gjitha janë trillime.
Vajza ime ka bërë bilancin e 7 viteve pune në Kosovë, bashkë me burrin e vet. Të ardhurat 7 vjeçare të të dyve arrijnë në 1.4 milion dollarë. Shpenzuan 400 mijë dhe u kthyen me 1 milion”, tha Berisha.
