Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 67-vjeçarin, Ded Doçin, i cili u arrestua nga policia, pasi tentoi të vrasë me makinë një punëtor të firmës mirëmbajtëse të Rrugës së Kombit, duke e lënë të plagosur.
Në seancën të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se 67-vjeçari ka pranuar faktin se ka patur konflikte mbi pronësinë e tokës ku po punonin punëtorët, por ka mohuar ta ketë përplasur qëllimisht me makinë punëtorin Nazmi Halila, duke e konsideruar ngjarjen aksidentale.
Por pavarësisht pretendimeve të tij, gjyqtari Jak Ndoka pranoi kërkesën e prokurorit Ylli Pjeternikaj dhe vendosi arrest me burg për 67 vjeçarin.
