“Miniera e ‘Trepçës’ në Stantërg, Kosovë, është e njohur me bukuri të kristaleve e mineraleve të llojeve të ndryshme”, thuhet në Raportin për gjendjen e natyrës në Kosovë: 2010-2014, të hartuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Duke pasur parasysh këtë fakt, në vitin 1964 themelohet Muzeu i Kristaleve të Mineraleve, në të cilin janë të vendosura mbi 1300 eksponate të llojeve të ndryshme të kristaleve, duke e shndërruar Muzeun në një objekt me rëndësi të madhe kombëtare për Kosovën, si në aspekt të vlerave, po ashtu edhe në aspekt turistik”.
Përveç kristaleve, në Muze janë të ekspozuara edhe mjete të vjetra pune me të cilat janë shërbyer xehetarët në fillimet e punimeve në minierë. Në oborr shihet një karrocë me rrotë të metaltë dhe lokomotiva e portokalltë me vagonët e mbushur me kristale. Ishte prodhuar nga “Fabrika e pajimeve të procesit” më 1984 në Mitrovicë.
Ibrahim Musës ia merr sytë shkëlqimi i kristaleve. Sa herë hyn e del nga zyra, kalon pranë vitrinave të mbyllura me çelës. Matanë xhamave, nëpër rafte, reflektojnë kristale të llojeve të ndryshme.
Dritat i ndez vetëm kur ka vizitorë në Muzeun e Kristaleve të “Trepçës” në Stantërg. Musa, inxhinier i gjeologjisë, është njëherësh edhe ciceron, shkruan sot “Koha Ditore”. Flet me pasion për vlerat e kristaleve, që ua prezanton fije e përpe vizitorëve, sidomos të huajve që marrin udhë drejt minierës që ndodhet përgjatë rrugës që shpie për në Shalë të Bajgorës. Presidenti Ibrahim Rugova do t’ia ekspozonte botës.
Brenda objektit, Musa u rrëfen turistëve nëpërmjet kristaleve copëza të historisë së shekullit njëzet të Kosovës. Vetë historia e familjes së Musës është e lidhur me historinë plot krenari dhe vuajtje të kombinatit “Trepça”.