Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në një seancë të posaçme për të votuar nismën e Partisë Socialiste për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.
Për të larguar Metën nga Presidenca duhen 94 vota, të cilat në bashkëpunim me opozitën e re, duket se PS i ka të garantuara.
Nëse kjo ndodh, do të ishte hera e parë në Shqipërinë pluraliste në 30 vite demokraci.
Seanca parashikon tre orë debat dhe më pas votimin, jo me elektronikë, por letër, të fshehtë.
Mësohet se Kuvendi i kërkoi Presidentit të ishte në seancën e sotme, por kreu i shtetit nuk ka pranuar për të parë, sipas tij, “gjyqin publik” ndaj tij, pa të drejtë fjale, por vetëm për të qëndruar dhe dëgjuar.
Meta akuzohet nga socialistët për ashpërsimin e klimës parazgjedhore, konfliktin me ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim dhe braktisjen e rolit të simbolit të unitetit kombëtar, mbi palët, duke bërë fushatë për opozitën kundër qeverisë.
Por edhe nëse Kuvendi miraton shkarkimin, Meta do të vazhdojë të jetë kryetari i shtetit, pasi vendimin final e merr Gjykata Kushtetuese.
