Sipas raportit përfundimtar të komisionit të posaçëm hetimor, presidenti Ilir Meta me veprimet e tij ka shkelur 17 nene të Kushtetutës.
Në raportin prej 96 faqesh, i cili pritet të lexohet në Parlament, Meta akuzohet edhe për përplasje dhe sulme ndaj diplomatëve, siç është rasti sulmeve me anë të deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim.Sipas Komisionit, në kundërshti me kushtetutën në këto zgjedhje “Presidenti i Republikës bëri fushatë kundër partisë në pushtet, në kapacitetin e tij zyrtar”. Socialistët kanë arritur në përfundimin se Meta ka bërë presion që prokuroria të japë konkluzionet e hetimit para datës së zgjedhjeve dhe është përpjekur të orientojë hetimin vetëm në një drejtim që i leverdiste atij politikisht.
Presidentit Ilir Meta shihet edhe si nxitës me deklaratat e tij edhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan në javën e fundit të fushatës zgjedhore ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, aktivist i PS pas përplasjes me strukturën për Mbrojtjen e Votës të ngritur nga PD për çështje të shitblerje të votës. Kjo sipas Komisionit erdhi pas thirrjeve të presidentit për dhunë, ndërsa kërkohet hetimi i tij nëse ka qenë apo jo i përfshirë në strukturën e opozitës për krijimin e grupit që mbron votën.
“Më datë 21.04.2021 në Elbasan ndodhi një përplasje me dhunë midis dy grupeve simpatizantësh, me pasoja të rënda. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it e përshkruan kështu ngjarjen: “Një person u vra dhe tre u plagosën. PD-ja kish formuar një grup, të cilin e quante “Struktura për Mbrojtjen e Votës” dhe thonte se përbëhej nga ish anëtarë të policisë së shtetit, të cilëve PD u kish kërkuar të “verifikonin” informacionet për blerje të votës”.
Sipas raportimeve, autori i vrasjes në ngjarjen e Elbasanit ishte i armatosur me armë, pa leje për t’u mbajtur në publik. Ai dhe grupi që e shoqëronte shkaktuan përplasjen në tentativë për të ushtruar autoritet të kundraligjshëm policor. Modus operandi i tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit të Republikës për dhunë.
Nëse Presidenti i Republikës ka qenë i përfshirë në platforrmën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e grupit paramilitar të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, apo jo, kjo është një çështje që vetëm hetimi i organeve kompetente mund ta zbulojë. Por për komisionin hetimor rezultoi e provuar se Presidenti i Republikës ka qenë frymëzuesi publik i dhunës. Ky konkluzion përforcohet edhe nga fakti, se ai për asnjë moment nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm vrasjen, por as modelin e kundraligjshëm që përfaqësonte “Struktura për Mbrojtjen e Votës”.
Meta akuzohet edhe për përplasjen në distancë me ambasadoren e SHBA Yuri Kim, që cilësohet si përpjekje për të krijuar krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në.
Pjesa mbi përplasjet me ambasadoren amerikane
Rezulton nga qëndrimet sa sipër në emisionin televiziv dhe aktet që u morën në shqyrtim
gjatë procesit hetimor se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë sulme publike kundër ambasadës
së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe vetë Ambasadores Yuri Kim, duke përhapur
akuza të rreme për ndërhyrje në punët e brendshme, për njëanshmëri dhe përfaqësim të interesave antishqiptare të shteteve të tjera, sikurse ka insinuar se autoritetet përfaqësuese të SHBA-së kanë kryer ose janë të aftë të kryejnë krime kundër tij.
Të gjitha deklarimet e tij publike kundër ambasadës dhe autoriteteve përfaqësuese të
SHBA-së do kishin forcën të dëmtonin rëndë marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik, nëse
autoritetet kompetente të SHBA-së nuk do kuptonin se këto qëndrime janë e kundërta e qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë.
Pavarësisht kësaj, imazhi dhe pozita ndërkombëtare e Republikës së Shqipërisë,
konsiderohet e dëmtuar, për shkak se institucioni i cili duhet të përfaqësojë ndërkombëtarisht
Republikën e Shqipërisë (sipas parashikimeve kushtetuese të sipërcituara), bëhet konfliktual,
sulmon dhe synon të denigrojë aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë. Kjo qasje problematike arrin kulmin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsiderohen si shtet i aftë të kryejë krime.
Konkluzionet finale të Raportit
253. Komisioni hetimor, në përfundim të hetimit, në lidhje me pikat a) dhe b) të objektit
arrin në konkluzionin se Presidenti i Republikës me aktet dhe qëndrimet e tij ka shkelur
nenet 2/2, 4, 7, 13, 18, 45, 88/3, 86/1, 89, 94, 100/1, 100/2, 102/ 1, 124, 135, 145 dhe 148 të Kushtetutës.
254. Të gjitha këto shkelje konsiderohen nga ky komision si shkelje të rënda të
Kushtetutës, pasi nga aktet e administruara në këtë proces hetimor dhe siç arsyetohet në këtë raport vërtetohet se: i) për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës Presidenti nuk ka pasur ndonjë qëllim të justifikuar; ii) me këto shkelje Presidenti ka cenuar të drejtat e njeriut, marrëdhëniet shoqërore, politike sensitive dhe të rëndësishme që mbrohen nga Kushtetuta, Kodi Penal dhe legjislacioni shqiptar në fuqi; iii) Presidenti ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente; iv) shkeljet kushtetuese të konsumuara nga Presidenti kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit dhe në sferën sociale, politike dhe në ekonominë e vendit; v. sjellja e Presidentit ndaj shkeljeve kushtetuese është në kundërshtim të hapur me përgjegjshmërinë, vetëpërmbajtjen, seriozitetin, maturinë dhe korrektësinë e qëndrimeve që duhet të shfaqë një përfaqësues i lartë i shtetit, që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të cilit Kushtetuta i ka veshur atributet e përfaqësuesit të unitetit të popullit.
255. Në lidhje me pikën c) të planit të hetimit, në bazë të gjithë arsyetimeve që jepen në këtë raport, komisioni arrin në konkluzionin se aktet, sjelljet dhe qëndrimet e Presidentit të Republikës, që u shqyrtuan gjatë procesit hetimor sipas arsyetimit në këtë raport, vijnë në kundërshtim me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.
Për sa më sipër
1. Komisioni hetimor, në bazë të nenit 90/2 të Kushtetutës, nenit 112 të Rregullores së
Kuvendit dhe nenit 20 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin ekomisioneve hetimore të Kuvendit”, i propozon Kuvendit:
Miratimin e raportit përfundimtar të komisionit hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda
kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë” së bashku me anekset e tij;
shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkelje të rënda të neneve 2/2, 4, 7,
13, 18, 45, 88/3, 86/1, 89, 94, 100/1, 100/2, 102/ 1, 124, 135, 145 dhe 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
