Gjatë kësaj jave vendi parashikohet të jetë në një zonë të ndërmjetme masash ajrore.
Në pjesën perëndimore të Mesdheut do të ndikojë anticikloni dhe në Ballkanin Lindor do të mbetet ndikim i ciklonit me qendër nga Deti i Zi.
Kështu, në vend priten kryesisht kthjellime e vranësira, që hera-herës do të marrin zhvillim kryesisht në pjesën malore dhe kodrinore të vendit.
Në këto zona në orët kur temperaturat do të arrijnë maksimumin e tyre parashikohen lokalisht reshje shiu me shtrëngata breshëri dhe rrufe.
Kjo situatë do të mbartë me vete në këto orare edhe zagushi, pasi dhe temperaturat do të vijnë në rritje.
Era përgjithësisht do të fryjë në juglindje dhe veriperëndim, e lehtë, dhe në bregdet e përgjatë luginave në mesditë do të vijojë me forcë mesatare dhe deri të vrullshme gjatë ditës së hënë e të martë.
Valëzimi në det do të jetë 3 deri 4 ballë deri ditën e martë. Më tej deti paraqitet i qetë.
