Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame deklaroi se brenda këtij viti, do të përfundojë regjistrimi i të gjithë pronave në bregdetin e jugut.
Ai u shpreh se dy ditë më parë, u afishuan dy zona të reja në Lukovë dhe është nxjerrë harta e kësaj zone.
Ai shtoi se i gjithë procesi po zhvillohet në të gjithë bregdetin e jugut. Ndër të tjera, Lame tha se qendrat e qyteteve kanë ndjeshmëri më të madhe dhe duhet të verifikohen nëse ka edhe disa raste kur nuk duhet të legalizohen.
”Nuk ka akuza për një rast të vetëm të tjetërsimit të regjistrimit. Këtë e them me krenari. Pardje u afishuan 2 zona të reja në Lukovë. Nxirret harta e Lukovës, e përfunduar, nxirret lista e përfituesve dhe për 45 ditë kanë afat që të kontrollojnë provën dhe pas këtij afati përpunohen dhe lëshohen certifikatat. Kjo po vazhdon në të gjithë bregdetin e jugut. Besoj që nga fundi i vitit mbaron pas 107 vitesh pavarësi, regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut”.