Tashmë ka mbetur vetëm të zgjedhë klubin! Esat Mala do të vazhdojë karrierën e tij në Turqi, por mbetet të mësohet nëse do të jetë në Superligën turke, apo në kategorinë e parë të saj. Lojtari ka udhëtuar drejt Turqisë dhe ka negociuar me të dy skuadrat, por nuk dihet ende se me cilën do të firmosë, pasi palët po rritin ofertat e kundërofertat për të.
Mala në fakt ishte në kontakte fillimisht me Samsunspor, i cili po ndërton një skuadër me të cilën të kërkojë ngjiten në elitë, pasi dështoi në ediconin e fundit në play-off. Pasi siguroi firmën e Eraldo Çinarit, klubi turk hyri në negociata edhe me Malën.
Lojtari zgjodhi fillimisht që të priste duke u stërvitur me Partizanin, por më pas, nga Turqia i erdhi një ftesë edhe më interesante. Klubi i Giresunspor, i sapongjitur në elitë, kërkoi lojtarin dhe e ftoi atë në Stamboll për të negociuar. Kështu, Mala gjatë ditës së kaluar ka udhëtuar drejt Turqisë dhe atje ka takuar drejtuesit e klubit që do të luajë në Superligë në sezonin e ri.
Por sipas mediave turke, Mala ka kërkuar pak kohë që të japë një përgjigje përfundimtare. Kjo, për faktin e thjeshtë se Samsunspor i ka bërë një kundërofertë shumë më të mirë financiarisht se Giresunspor, i cili ka në avantazh faktin se e fton lojtarin të luajë në Superligë. Ndaj për momentin ankandi është i hapur dhe Mala duhet të zgjedhë se ku do të vazhdojë karrierën e tij, që gjithsesi duket se ka Turqinë në të ardhmen e afërt.
