Paraqitja e mbrëmshme e Granit Xhakës në ndeshjen kundër Francës ka qenë me të vërtetë mbresëlënëse aq sa lojtari më i mirë i ndeshjes nga UEFA nuk u shpall as Seferoviç i cili shënoi dy gola e as Zomer i cili priti penalltinë vendimtare, por mesfushori shqiptar i helvetëve.
Ai ishte i jashtëzakonshëm gjatë ndeshjes duke dueluar me mesfushorët e Francës e duke nisur aksionet e golave, ndërsa nga këmbët e tij erdhi asisti për golin e 3-3. Por ai u shfaq edhe si një lider i vërtetë, duke motivuar ekipin në çdo moment e sidomos në pushimet para kohëve shtesë dhe para penalltive. Fjalime që për çudinë e të gjithëve i bëri duke pirë “Coca Cola”, për t’u kthyer menjëherë në një hit në rrjetet sociale ku u kujtuan bëmat e Ronaldos me pijen në fjalë.
Xhaka refuzoi të gjuante një nga 5 penalltitë e para, por pas fitores ishte ndër më të ekzaltuari dhe nuk ngurroi që të polemizonte gjatë festimit të tij. Ai shkoi menjëherë para një prej kamerave, tregoi flokët dhe shenjën e gërshërëve. Pastaj vuri gishtin te buzët duke bërë shenjë që njerëzit të heshtnin, duke kujtuar kritikat që kishte marrë për modelin e flokëve para fillimit të Europianit. Padyshim, një natë që nuk do të harrohet lehtë për mesfushorin…
