Kreu i Partisë Demoratike Lulzim Basha ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Donald Rumsfeld, ish sekretarit amerikan të mbrojtjes.
“Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, përfaqësues i një plejade të artë vendimmarrësish që e bënë botën më të sigurtë, më të lirë dhe demokratike. Sekretari Rumsfeld do të përkujtohet dhe nderohet përherë si një mik i madh i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, kontributi i të cilit ka qenë i paçmueshëm për anëtarësimin e vendit tonë në NATO.
Mirënjohje dhe nderim të thellë për këtë kampion të lirisë dhe ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe popullit amerikan. U prehtë në paqe!”, thotë Basha në mesazhin e tij.
