Nisur nga kjo e enjte punonjësit e Kadastrës do të jenë në terren për të ndjekur procesin e legalizimeve dhe për të regjistruar problemet e pronësisë që kanë qytetarët.
Zyrat lëvizëse të Kadastrës e nisën punën nga fshati Lanabregas, ndërsa kreu i Kadastrës Artan Lame tha se kjo procedurë do të ndiqet dhe në zonat dhe qytetet e tjera.
“Gjykuam që mbi bazën e ligjit të ri të fillojmë një proces pune sistematike. Nuk mund të vazhdojmë me një qytetar që na ankohet këtu, një qytetar atje. Bëjmë një pallat këtu na sulen 10 të tjerë që kanë 20 vjet që presin.
Gjykuam të formatojmë mënyrën sistematike të punës. Të marrim në rang republike sipas drejtorive vendore një zonë të caktuar të punojmë në të duke mbyllur të gjithë proceset në atë zonë dhe legalizimet, edhe shtëpitë e vjetra të paregjistruara, edhe regjistrin e tokës bujqësore, edhe përmirësimin e hartave që është belaja më e madhe.
Ajo zonë hidhet në sistem dhe nuk ka më dhimbje koke. Kjo do të kërkonte dy mënyra, ose ju të gjithë bashkë të vini te ne, ose ne të vijmë këtu.Gjëja më e thjeshtë është kjo e dyta.”