Kryeministri Edi Rama është takuar me krerët e bashkive në vend ku foli dhe njëherë për shkarkimin e Fatos Tushes si kryetar bashkie dhe përjashtimin e tij nga PS.
“Nuk është detyra ime as e PS të kërkojnë pafajësinë e tyre. Kjo është puna e avokatëve të të pandehurve, ndërsa ky është rasti për të përsëritur juve dhe të gjithë të tjerëve që kanë marrë apo do të marrin besimin e shumicës sonë të mandatuar për të tretën herë resht nga populli shqiptar, si forcë qeverisëse. PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve dhe të akuzuarve nga drejtësia, por është fuqia e votuar nga populli shqiptar për t’i shërbyer Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.
Të refuzojmë çdo lloj mbrojtjeje për këdo qoftë prej ne dhe të tërheqim popullin lart drejt majës ku duhet të ngjisim shqipërinë me forcën e shembullit dhe jo shembullin e forcës. Kryetari i bashkisë së Lushnjës do të shkarkohet nga detyra dhe do të përjashtohet nga Partia Socialiste. Këto masa nuk nisen nga konsiderata se është fajtor, këtë nuk e themi dot ne, po i marrim këto masa për të dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë ata që janë përgjegjës për taksat e shqiptarëve në çdo nivel se kush luan me taksat e tyre e kush fut duart në xhepat e tyre e shkel të drejtën për të qenë të barabartë në konkurrencë dhe të shërbyer me dinjitet është thjesht i vetëm me avokatin e vet personal përballë drejtësisë. Të gjithë t’i vini mirë gishtin kokës e të kuptoni se mandati ynë i tretë kërkon përkushtim të trefishtë ndaj popullit, seriozitet të trefishtë ndaj privilegjit për t’i shyërbyer këtij populli”, tha Rama.
