Kryeministri Edi Rama ka folur në mbledhjen me krerët e bashkive edhe për paketën e re të prokurimit publik. Ai i ka kërkuar kryebashkiakëve që të mos ndërhyjne në prokurimet publike e të mos influencojnë me pushtetin e tyre.
“Për prokurimet publike i kam kërkuar reformimin e mëtejshëm. Tani është miratuar dhe sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e prokurorimeve publike, që përmirëson ndjeshëm kuadrin rregullator dhe krijon premisat optimale për rritje të efiçensës së sistemit duke e përafruar me legjislacionin europian dhe duke marrë në konsideratë gjetjet dhe rekomandimet e organizmave ndërkombëtar në këtë drejtim kërkesat për ndryshime ligjore nga institucionet e fushës dhe duke adresuar problematikat e hasura në praktikë. Paketa e re synon të rrisë integritetin dhe përgjegjëshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces esencial, qoftë autoritetet kontraktore apo operatorë ekonomik, si dhe mbështet fuqizimin e mekanizmave monitorues dhe ndëshkues për çdo shkelje të konstatuar. Ju ftoj të merrni një laps në dorë, ta studioni këtë paketë, dhe të kërkoni nga strukturat tuaja përgjegjëse për prokurorimin të bëjnë të njëjtën gjë. Mbi të gjitha ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përzjeheni me proceset e prokurimit publik të mos influenconi me pushtetin tuaj, të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë të gjithë mbështetjen time dhe të PS kundër kujtdo të ndër ju apo kudoqoftë që do të luajë me zjarrin”, tha Rama.
