Procedurat për tërheqjen e bonusit për bebet që lindin në strukturat spitalore private të licencuara në vend, si dhe të lindurit jashtë vendit do të kryhen pranë Shërbimit Social Shtetëror. Autoritetet e këtij dikasteri sqarojnë se prindërit e foshnjës së porsalindur do të duhet të paraqiten për tërheqjen e çekut të bebes pranë këtij institucioni, në rastin kur lindja e fëmijës ka ndodhur në shërbimin spitalor jopublik të licensuar sipas legjislacionit në fuqi dhe në rastin kur fëmija është lindur jashtë territorit të Shqipërisë.
Tre janë dokumentet që prindërit e bebeve të lindura në këto spitale duhet të dorëzojnë pranë Shërbimit Social Shtetëror për të bërë të mundur tërheqjen e çekut me masën e shpërblimit që ju takon. Konkretisht, prindërit e fëmijës duhet të paraqesin pranë Shërbimit Social Shtetëror certifikatën e lindjes, certifikatën familjare, si dhe një fotokopje të mjeteve të identifikimit të të dy prindërve. Gjatë marrjes së certifikatave pranë strukturave të gjendjes civile duhet të tregoni kujdes që të kenë në fund të shënuar specifikimin përkatës. Sipas vendimit të miratuar më herët nga Qeveria, përcaktohet se për rastet kur fëmija ka lindur në spital jo-publik, certifikata personale dhe ajo familjare duhet të kenë në fund të saj edhe shënimin “Lindje në institucion jopublik (emri i institucionit) që lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare” (Bonusi).
Ndërsa për rastet kur fëmijët kanë lindur jashtë territorit të Shqipërisë certifikata e lindjes dhe ajo familjare duhet të kenë në fund shënimin ku të saktësohet: “Lindje jashtë shtetit, nr… akti, datë, muaji, viti, vendin ku ka ndodhur lindja, dhe që lëshohet për efekt të përfitimit të ndihmës së menjëhershme financiare regjistruar brenda afatit 90-ditor (Bonusi). Kur deklarimet bëhen përtej këtij afati të përcaktuar, prindërit nuk do të mund të përfitojnë shpërblimin prej 5,000 lekësh.
“Për rastet kur deklarimi i aktit të lindjes të mbajtur jashtë vendit kryhet jashtë afatit 90- ditor, nëpunësi i gjendjes civile e pajis deklaruesin me certifikatën personale e familjare me shënimin “Lindje jashtë shtetit, nr..akti, datë…, vendin ku ka ndodhur lindja, “Për përfitim të ndihmës së menjëhershme financiare Bonus, regjistruar jashtë afatit 90-ditor, nuk përfiton çekun prej 5 000. Në këto raste prindi/prindërit nuk përfitojnë pagesën prej 5 000 lekësh”, bëjnë me dije autoritetet e Shërbimit Social Shtetëror.
Lidhur me afatet, ekspertët vënë në dukje më tej se tërheqja e çekut mund të bëhet personalisht vetëm nga prindërit dhe afati është deri në 1 vit kalendarik nga dita e lindjes së foshnjës, për foshnjat e lindura brenda ose jashtë shtetit.
Sa i takon masës së përfitimit, ndihma e menjëhershme financiare (bonusi) për prindin/prindërit me foshnja të porsalindura është, 40 mijë lekë për lindjen e foshnjës së parë, 80 mijë lekë për lindjen e foshnjës së dytë, si dhe 120 mijë lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim. Për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 80 mijë lekë për secilën foshnjë, si dhe për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe mëshumë), masa e përfitimit do të jetë në masën 120 mijë lekë për secilën foshnjë.
Institucioni i shërbimit spitalor publik ose jopublik ku ndodh lindja e foshnjës plotëson dokumentin “Certifikatë asistence në lindje” në dy kopje dhe pajis prindin me një kopje të saj. Orari i pajisjes së prindërve me dokumentin “Certifikatë asistence në lindje” është nga ora 9:00 deri në 13:00, nga e hëna në të shtunë. Orari i nëpunësit të shërbimit tëgjendjes civile pranë shërbimit spitalor publik ose jopublik është nga ora 09:00-14:00, nga e hëna në të shtunë.
Zbatimi i përcaktimeve të bëra në këtë vendim nga ana e institucionit të shërbimit spitalor publik dhe/ose jopublik, që ka shërbimin e lindjes së foshnjës, është subjekt kontrolli nga strukturat përkatëse të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Për rastet kur strukturat përgjegjëse konstatojnë përfitimin pa të drejtë të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi), Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale merr masa, sipas legjislacionit në fuqi, për kthimin e shumës së përfituar pa të drejtë. Shkelja e përcaktimeve të bëra në këtë vendim nga ana e institucionit të shërbimit spitalor, publik dhe/ose jopublik, që ka shërbimin e lindjes së foshnjës, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
MASA E BONUSIT TË BEBES ËSHTË:
Në masën 40,000 lekë për lindjen e foshnjës së pare.
Në masën 80,000 lekë për lindjen e foshnjës së dytë.
Në masën 120, 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe të foshnjave të tjera në vijim.
Për prindërit që sjellin në jetë dy foshnja të lindura njëherësh (binjakë), masa e përfitimit do të jetë në masën 8, 000 lekë për secilën foshnjë.
Për prindërit që sjellin në jetë më shumë se dy foshnja të lindura njëherësh (trinjakë dhe më shumë), masa e përfitimit do të jetë në masën 120, 000 lekë për secilën foshnjë.
Në masën e ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) përfshihet edhe shpërblimi në masën 5 lekë për regjistrimin e lindjes brenda afatit, të përcaktuar në pikën 4, të nenit 41, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar. / DITA
