Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e rëndë të një nate më parë, ku nipi vrau gjyshin e tij.
Sipas policisë, nipi që mbante të njëjtin emër si gjyshi, Vangjel Kapllani do të përballet me akuzën “vrasje për shkak të rrethanave familjare”. Pas krimit ai e kishte hedhur pistoletën në një pusetë afër shtëpisë me qëllim të fshihte gjurmët.
Ndërkaq, janë arrestuar edhe autorët që dyshohet se i kanë shitur pistoletën adoleshentit.
NJOFTIMI I PLOTE
Policia zbardh në kohë të shkurtër ngjarjen e mbrëmshme, e cila rezultoi krim në familje
- Arrestohet autori i dyshuar (nipi i viktimës), ndalohen në flagrancë edhe 3 persona të tjerë.
Lidhur me ngjarjen e mbrëmshme ku i moshuari 69-vjeçar u dërgua në Spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë shëndetësore, me pretendimin se u gjet i gjakosur nga nipi i tij, bëjmë me dije se:
Policia e Vlorës pas hetimeve intensive, ka bërë zbardhjen e gjithë mekanizmit të ngjarjes. Rezulton se autori i dyshuar i krimit të jetë nipi i të moshuarit, V.K., 17 vjeç, i cili do të përballet penalisht për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Pas ekspertizës së kryer në pjesën e pasme të kokës së viktimës është konstatuar një predhë armë zjarri, e cila si pasojë ka sjellë vdekjen e të moshuarit.
Gjithashtu, shërbimet policore kanë sekuestruar edhe armën e krimit, tip pistoletë, të cilën autori e kishte hedhur në një pusetë afër banesës me qëllim për të fshehur gjurmët.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia ka arrestuar në flagrancë 3 persona, të cilët dyshohen se i kanë shitur armën e krimit autorit të ngjarjes, shtetasit L.M, 17 vjeç, F.Xh, 16 vjeç dhe M.A, 28 vjeç, të cilët u arrestuan nga Policia për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”.