Biznesmenët e lokaleve në Vlorë kanë dalë sërish në protestë sa i takon kufizimit të muzikës në ambiente, për shkak të stuatës së koronavirusit në vend.
Dje në mbrëmje pronarët e lokaleve në Lungomare të Vlorës dolën në protestë pasi kërkonin që të shtyhej më shumë se ora 22:00 lejimi i muzikës në ambientet e tyre. Pati edhe përplasje mes disa prej sipërmarrësve dhe policisë.
Ndërkohë sot kryeministri Edi Rama njoftoi se duke filluar që nesër 20 korrik muzika do të lejohej deri në orën 23:00, gjë të cilën e zyrtarizoi dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Megjithatë pronarët e lokaleve kanë mbetur të pakënaqur dhe kanë dalë sërish sot në protestë, kanë ndezur qirinj, kanë vendosur shirita në ambientet e tyre dhe parulla të ndryshme si: Mos na prekni klientët.
Kujtojmë se 90 administratorë lokalesh, kryesisht në Lungomare, mbyllën subjektet e tyre më herët në shenjë proteste dhe me argumentin se muzika nuk përhap koronavirusin.
