Dr. Gerald Kola ka ndërmarrë një nismë të veçantë, atë të mbledhjes së ilaçeve të mbetura në shtëpi për t’ua dhënë më pas falas njerëzve që kanë nevojë. Në një intervistë për tirananews.al dr. Geraldi thotë se nisma erdhi si pasojë se shumë pacientë të tij ankoheshin se ilaçet u skadonin në shtëpi dhe u vinte keq t’i flaknin.
Në vetëm pak ditë që është lançuar kjo nismë është përqafuar nga shumë njerëz të cilët madje kanë dërguar dhe ilaçet në klinikën e dr. Geraldit, Tirana Health Clinic. Përsa i përket edukimit shëndetësor tek qytetarët shqiptarë, doktori thotë se aktualisht është zero për momentin dhe se duhen ndërmarë hapa për të ndërgjegjësuar popullatën.
Dr. Kola së fundmi keni nisur një iniciativë për të mbledhur ilaçe të mbetura në shtëpi dhe që njerëzve nuk u duhen më për t’i shpërndarë ata falas për personat që kanë nevojë. Na flisni pak për këtë nismë të veçantë dhe sa është përqafuar ajo nga njerëzit?
Nisma ka ardhur si pasojë se shumë pacientë të mi më ankoheshin se u skadonin ilaçet në shtëpi dhe u vinte keq t’i flaknin. Për këtë arsye më lindi ideja që të krijohej një sistem grumbullimi dhe më pas shpërndarjeje i këtyre ilaçeve në mënyrë që të mos shpërdorohen. Nisma është përqafuar që në momentin e parë që e kam hedhur në rrjetet sociale. Shumë njerëz më kanë shkruajtur për të sjellë medikamente të ndryshme, madje kanë filluar edhe të sjellin. Kam vënë re se ka pasur shumë ilaçe të mbetura nëpër rafte dhe se njerëzit janë të gatshëm t’i shpërndajnë.
Duke qenë se jemi tek përdorimi ilaçeve doktor, sa të ndërgjegjësuar janë shqiptarët në përdorimin e tyre?
Kam vënë re se shumica e njerëzve janë mjaft të ndërgjegjësuar në përdorimin e ilaçeve, sidomos pas situatës së pandemisë që kaluam.

Përsa i përket edukimit shëndetësor në Shqipëri, nisur dhe nga përvoja juaj si mjek, a mund të themi se si shoqëri kemi nevojë për më tepër edukim për shëndetin, dhe si mund të realizohet kjo?
Edukimi shëndetësor në Shqipëri është pothuajse zero. Detyrë kjo që duhej të mbulohej nga mjekët e familjes, por fatkeqësisht ata janë shumë pak dhe të mbingarkuar me punë. Aktualisht edukimin shëndetësor më të madh po e japin portalet e ndryshme, por fatkeqësisht ato drejtohen nga njerëz që nuk janë të fushës mjeksore dhe shpeshherë botojnë artikuj të përkthyer nga gjuhë të ndryshme dhe ndonjë ka keqinterpretim të përkthimit, gjë që çon në një konfuzion të madh të njerëzve që kanë nevojë për këto informacione. Ka ardhur momenti që edukimi shëndetësor të marrë rëndësi edhe në Shqipëri, por tani jemi në fazën që kjo nismë duhet të jetë më shumë vullnetare pasi qeveria nuk ka ndonjë nismë specifike për këtë gjë. Mjekë të ndryshëm duhet të shkruajnë herë pas here, kur kanë sadopak pak kohë, diçka rreth shëndetit dhe ta postojnë atë.
Dr. Kola jemi ende në situatë pandemie e të gjithë me shpresën se po shohim dritë në fund të tunelit. Çfarë mund të themi se ka ndryshuar kjo pandemi në qasjen tonë ndaj shëndetit?
Kjo pandemi na ka bërë të kuptojmë shumë gjëra rreth shëndetit, kryesorja është që njerëzit janë bërë më të interesuar përsa u përket mirëqënies së tyre shëndetësore. Njerëzit kanë filluar të interesohen edhe në parandalimin e sëmundjeve dhe jo vetëm në kurimin e tyre dhe për mua kjo është diçka kolosale në lidhje me një popullatë që deri dje bënte gjëra minimaliste përsa i përket pandalimit të sëmundjeve.
Cilat janë këshillat tuaja në kushtet kur po flitet për valë tjetër të COVID-19 dhe “kërcënimit” nga varianit Delta?
Këshilla ime bazë ka qenë dhë është forcimi i imunitetit personal, sepse është pikërisht ai luftëtari kryesor ndaj çdo sëmundje. Masat e këshilluara nga komiteti janë thjesht masa politike, ato nuk kanë ndonjë rol të madh në luftën ndaj sëmundjeve, thjesht krijojnë hapësira për menaxhim sa më të mirë të situatave pandemike. Kryesorja është që ne të kemi një imunitet të fortë, fizik edhe mendor./A.B– tirananews.al
