Më shumë nga të gjithë ministrat e larguar nga kabineti “Rama 2” është emocionuar ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. E ulur në rreshtin e dytë që në fillim të Asamblesë Socialiste ajo dha të kuptohej që në fillim se e kishte marrë mesazhin e zëvendësimit. Me sa kuptohet në mbledhjen e fundit të kryesisë së PSSH-së Kryeministri Rama ka vendosur ndryshimet në thella në qeveri. Ditë më parë, gjatë protestave të studentëve, por edhe në Kuvendin e Shqipërisë, Lindita Nikolli ka deklaruar se ajo do të merrte përgjegjësitë e saj si numri një i arsimit në vend. Por, kur Rama tha nga foltorja e AK-së se ajo do të largohej nga drejtimi i dikasterit të arsimit ajo u ndje keq, madje u përlot. Herë pas here ish ministrja e Mbrotjes Mimi Kodheli u përpoq ta qetësonte, por ajo kaloi emocione mjaft të mëdha. Rama la të kuptohej se Nikolla nuk ka menaxhuar si duhet sektorin e arsimit, nuk janë përgatitur aktet nënligjore për arsimin e lartë. Jo pak probleme janë krijuar në drejtoritë rajonale të arsimit në qarqe, pasi drejtorët kanë drejtuar keq. Ata akuzohen se kanë abuzuar me detyrën duke emëruar në drejtoritë e shkollave mësues pa kritere, kanë kryer emërime në shkelje të ligjit, akuzohen se kanë përfituar padrejtësisht. / P. Hasa /
Postime te ngjashme
Add A Comment