Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu tha sot gjatë një takimi me përfaqësues të bashkive Mat, Bulqizë, Klos e Dibër, zyrtarë të Policisë Rrugore, specialistë të subjekteve private që mirëmbajnë rrugët nacionale, etj, se Bashkia e Matit është shembulli më i mirë përsa i përket mirëmbajtjes së rrugëve rurale, vendosjes së sinjalistikës rrugore e montimit të kamerave të sigurisë.
Gjatë raportimit të vendorëve u tha se nuk kanë mjetet e mjaftueshme për të mirëmbajtur rrugët rurale në zonat e thella dhe se nuk riparohen në kohën e duhur urat e kanalet ansore.
“Merrni shembull nga bashkia e Matit, tha Prefekti Shehu. Ka afro 400 kilometra rrugë rurale dhe ka siguruar 16 mjete motorike për mirëmbajtjen e tyre. Bashkia Dibër ka dyfishin e rrugëve rurale dhe disponon vetëm 4 mjete për mbajtjen e rrugëve. Mirëmenaxhimi i fondeve ka bërë që kjo bashki të realizojë sinjalistikën horizontale dhe vertikale si dhe të vendosë 45 kamera sigurie në mjediset publike të qytetit Burrelit”, shtoi Prefekti Nexhbedin Shehu.
Zyrtarët e Policisë Rrugore Dibër sqaruan se gjatë këtij viti kanë ndodhur 8 aksidente me pasojë vdekje, janë dyfishuar gjobat si dhe janë bllokuar lejet e drejtimit në 44 raste.
Zyrtarët e Matit u shprehën se Komisariati i Policisë Rrugore Dibër, për të qenë në sinkron me Bashkinë e Matit, duhet të shtojë masat për disiplinimin e lëvizjes së mjeteve në qytetin e Burrelit, pasi mbetet ende shqetësim shpejtësia e lartë e makinave në pikun e lëvizjes së qytetarëve.