Më shumë se 60 lojtarë të ardhur nga ekipe të tjera të Kategorisë së Parë janë duke u testuar nga trajneri i matjanëve Saimir Patushi.
Drejtori teknik Klevis Gjoka tha se faza përgatitore është vlerësuar seriozisht nga stafi drejtues i skuadrës së Burrelit.
Ai shprehet se: “Është vendosur që me datën 01 Gusht 2021 Burreli të fillojë zyrtarisht përgatitjet për sezonin futbollistik 2021-2022. Dhjetra futbollistë po testohen me kujdes, duke synuar përzgjedhjen e lojtarëve më cilësorë, që bëjnë diferencën dhe mundësojnë arritjen e objektivit. Për shkak të investimit që po kryhet në aneksin e “Liri Ballabanit” skuadra do t’i nisë përgatitjet në Arbanë, Tiranë.”
Mes futbollistëve të grumbulluar janë edhe dy brazilianë, të cilët synojnë të veshin bluzën e Burrelit për kampionarin e ardhshëm.
Ndeshjen miqësore me Dinamon matjanët e mbyllën në barazim. Sakaq në mesjavë skuadra e Patushit do të masë forcat me ekipin e Kukësit.