KPK-ja është strukturë e përcaktuar në Kushtetutë dhe bën vetingun në drejtësi bazuar në tre kritere: deklarimi financiar, integriteti dhe aftësia profesionale. Në vitin e katërt të krijimit, kur kanë vendosur tashmë fatin e mbi 50% të gjyqtarëve e prokurorëve, është bërë publike një letër e tre anëtarëve të KPK-së. Mjafton kjo letër për kuptuar mangësitë e kulturës shtetërore dhe administrative.
Sikurse mund të shihni edhe nga letra, ajo nuk respekton asnjë nga rregullat e shkresës zyrtare administrative dhe të aktit profesional të një trupe juristësh. Shkresa quhet “Notë verbale”, por në fjalorin e gjuhës shqipe notat verbale janë akte diplomatike në komunikimin midis shteteve dhe jo akte midis kryetares së KPK-së dhe tre anëtarëve të tij. Shkresa i adresohet kryetares së KPK-së Pamela Qirko, por në shkresë nuk përmendet emri i saj, madje as në fillim të tekstit të shkresës! Shkresa ka disa dhjetëra gabime ortografike, por mbi të gjitha nuk ka një rrjedhë logjike, nuk citon asnjë ligj, asnjë rregullore, asnjë referencë juridike, përdor fjalë të huaja dhe nuk respekton rregullat as linjën e mendimit të tyre. Shkresa përdor tri emërtime për të njëjtin person / funksion, si dhe nuk ka ndonjë kërkesë në fundin e saj, pra nuk kërkon asgjë, thjesht paraqet një ndjesi personale të tre anëtarëve. Po ashtu, shkresa nuk ka logo dhe as emër institucioni, nuk citohet ku vendi ku është bërë/nisur, por vetëm data. Dhe për ta mbyllur: shpresa është konfidenciale, cilësim që do të thotë, ajo nuk duhej të ishte publike!
