Dieta ushqimore e shëndetshme ka versione edhe më të shëndetshme. Disa ushqime nuk janë të këqija, por mund të zëvendësohen nga të tjerë që përmbajnë vlera më të larta ushqyese dhe më pak kalori, por sigurojnë më shumë energji pa pasur nevojë të hash sasi të mëdha.
Patatja dhe lulelakra
Pureja e lulelakrës ka më pak kalori se e patates dhe thuajse të njëjtën shije. Nëse ju pëlqen shija klasike e kësaj pureje, përdorni racione të barabarta të këtyre dy perimeve dhe erëza të freskëta në vend të kripës. Përveçse ju ngop, nuk shkakton ndjesinë e rëndesës në stomak.
Mielli i grurit dhe fasulet e zeza
Mielli i bardhë i grurit mund të zëvendësohet lehtësisht me fasulet e zeza, edhe për ëmbëlsirat. Për skeptikët, shija nuk ndryshon aspak përveçse përmirësohet. Një gotë miell mund të zëvendësohet lehtësisht me një gotë fasule të zeza të bëra pure.
Sallata jeshile dhe spinaqi
Të dyja janë jeshillëqe të shëndetshme, por spinaqi përmban dy herë më shumë potasium, kalcium, proteinë, hekur, vitamina A,B, B3 dhe C se sa çdo perime tjetër e llojit të tij. Gjithashtu, ka përmbajtje më të lartë fibrash e mineralesh, përfshirë magnezin dhe fosforin, madje shija është thuajse e njëjtë.
Kafeja, cikorja dhe çaji i mentes
Një filxhan kafe përmban 95 mg kafeinë, konsumimi i tepruar i së cilës shkakton përzieje, ankth, rrahje të çrregullta të zemrës dhe probleme me gjumin. Një zëvendësues i mirë i saj është çaji i cikores që ka të njëjtin efekt, por pa këto probleme. Çaji i mentes është një tjetër alternativë që jep energji dhe ul nivelin e stresit.
Patatinat dhe qiqrat e skuqura
Të gjithë i pëlqejmë patatinat, por nuk janë zgjedhja më e shëndetshme. Qiqrat e skuqura me erëza janë një alternativë që mund ta provoni kur keni neps për të ngrënë. Ato janë përplot me magnez dhe fibra që mbajnë nën kontroll sheqerin në gjak dhe funksionimin e sistemit nervor.
