Pas zbutjes së klimës në marrëdhëniet ndërkombëtare midis dy blloqeve politike të Luftës së Ftohtë dhe fillimit të takimeve Regan-Gorbaçov, në gjysmën e dytë të viteve ’80-të, edhe 6 shtetet ballkanike të mbërthyera në formulën 2+2+2 për shkak të përkatësisë së tyre në blloqe të ndryshme politike, ose qëndrimit jashtë blloqeve si Shqipëria e ish-Jugosllavia, filluan përpjekiet për të gjetur rrugët për një bashkëpunim rajonal duke tejkaluar pengesat politke.
E mbërthyer nga kriza ekonomike dhe problemet e brendshme kombëtare, si dhe në kuadër të tkurrjes së tensionit në marrëdhëniet ndërmjet blloqeve politike, qeveria jugosllave propozoi organizimin e takimit të parë në nivel të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit. Me 29 maj 1987 Sekretari Federativ për Punët e Jashtme i ish-Jugosllavisë Raif Dizdareviç u dërgoi letër ministrave të jashtëm të të gjithë vendeve të Ballkanit ku propozonte organizimin e takimit deri në fund të vitit 1987.
Rendi i ditës i takimit u propozua nga pala jugosllave në cilësinë e organizatores, si “..Shkëmbim mendimesh lidhur me idetë, rrugët e mundësitë për zhvillimin e bashkëpunimit shumëpalësh në Ballkan në të gjitha fushat ku interesat e vendeve ballkanike përputhen dhe ku nevojat janë të përbashkëta”.
Letra i mbërriti edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë me 29 maj 1987. Bazuar në qëndrimin e vazhdueshëm të qeverive shqiptare të kohës se”.. në situatën konkrete në Ballkan nuk ekzistojnë kushtet e domosdoshme e të nevojshme për një mbledhje me karakter ballkanik dhe marrëveshje shumëpalëshe, pa zgjidhur më parë problemet dypaleshe”, MPJ u rezervua të japë pëlqimin që në fillim.
Pas shumë dilemash politike, në kushtet e fillimit të hapjes së kontrolluar në politiken e jashtme, pas një diskutimi të gjatë me rangje të ndryshme diplomatike me vendet e rajonit, qeveria shqiptare vendosi pjesëmarrjen në kete takim kaq të rëndësishëm për rajonin, me kusht që të respektohej rendi i dites i propozuar. Ajo u përgjigj zyrtarsiht me 15 tetor 1987.
Për shkak të konsultimeve të shumta midis qeverive të vendeve të Ballkanit që i përkisnin realiteteve të ndryshme politike, dhe përpjekieve për të gjetur një dakordësi për qellimin e takimit dhe formatin e tij, takimi nuk u realizua dot brenda vitit 1987, por me 24-26 shkurt 1988.
Për këtë arsye takimi i parë i MPJ të Ballkanit që pati pjesëmarrje të plotë nga vendet e një rajoni problematik në marrëdhëniet ndërshtetërore si Ballkani i viteve ’80-të, ishte i një rëndësie të veçantë.
Në Komunikatën e Përbashkët të arritur pas shumë diskutimesh në fund të takimit theksohej ndër të tjera se “…duke respektuar sistemet e ndryshme politike, social-ekonomike të vendeve ballkanike, të pavarësisë, të sovranitetit, integritetit të tyre territorial, paprekshmërisë së kufijve, të drejtave të barabarta, mosndërhyrjes në punet e brendëshme dhe interesit reciprok, ministrat ranë dakort të bëjnë përpjekie të reja për të zhvilluar një bashkëpunim shumëpalësh dhe të gjithanshëm si dhe marrëdhënie reciproke midis vendeve ballkanike.”
Te gjitha dokumentet mund ti shihni ketu: https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2019/03/takimi-i-par-i-ministrave-t-punve-t-jashtme-nga-t-gjitha-vendet-e-ballkanit-24-26-shkurt-1988.pdf