Për udhëtime pranë fshatit të tyre në Poloninë Perëndimore, Jacek Balcer dhe gruaja e tij lëviznin me makinën e tyre elektrike. Por kur ata duan të udhëtojnë në vende më të largëta, zgjedhin të lëvizin me furgonin e tyre me naftë, sepse e dinë që në një pjesë të rrugës apo në një tjetër ata mund të mbeten pa e karikuar makinën e tyre.
Edhe në ditët e sotme, nëse ju vendosni që të udhëtoni në distanca të largëta nga njëra-tjetra në Poloni, ju mund të mbeteni pa e karikuar makinën tuaj, sepse mungojnë stacionet elektrike, thotë Jacek, shkruan Reuters. Historitë janë thuajse të ngjashme edhe në disa vende të tjera të Europës Qendrore dhe asaj Lindore. Por duke qenë se numri i automjeteve elektrike në rrugë është ende i ulët, edhe ndërtimi i stacioneve të karikimit të makinave elektrike nga qeveria nuk është kthyer ende në prioritet. Por situata pritet të ndryshojë.
Numri i automjeteve elektrike në rajonin prej 100 milionë banorësh që shtrihen nga Polonia në veri e deri në Bullgari në jug, pritet të rritet vetëm atëherë kur rregullat më të rrepta të emetimeve të Bashkimit Europian të hyjnë në fuqi në vitin 2020. Rrjeti më i madh i stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike në rajon drejtohet nga kompania private GreenWay, me rreth 112 stacione në Poloni dhe Sllovaki.
Por, me Bashkimin Europian që synon të ulë deri në 35% emetimet e makinave deri në vitin 2030, disa nga kompanitë më të mëdha të energjisë në rajon janë duke hyrë fuqishëm në treg. CEZ në Republikën Çeke dhe MOL në Hungari thonë se po planifikojnë të zgjerojnë rrjetet e stacioneve për karikimin e automjeteve elektrike në të gjithë rajonin.
Nëse ne nuk do të investojmë në këtë drejtim, dikush tjetër do ta bëjë dhe ky është një zgjerim dhe zhvillim i biznesit nga ai tradicional në atë të një lloji të ri, u shpreh Tomas Chmelik, CEO-ja i CEZ, kompanisë më të madhe të teknologjive të pastra në Europës Qendrore.
Sipas z. Chmelik, numri i automjeteve elektrike në rrugët çeke deri në vitin 2020 do të ketë shkuar deri në 10,000, ndërsa 10 vite më pas, në 2030, ky numër do të jetë rritur në 250,000. CEZ synon që deri në fund të vitit të ardhshëm, numri i stacioneve elektrike të këtë shkuar në 150.
CEZ planifikon të shpenzojë rreth një miliard korona çeke (44 milionë dollarë amerikanë) në 10 vitet e ardhshme për të arritur realizimin e objektivave të mësipërme.
Lëvizësit e parë
Teksa moti dhe kapacitetet e baterisë janë ndër faktorët kryesorë, stacionet elektrike të shpejta deri në 50 kW zakonisht mund të ofrojnë energji për një distancë prej 150 km dhe marrin rreth 30 minuta për furnizim, ndërsa stacionet elektrike super të shpejta shkojnë deri në 150 kW dhe mund të marrin vetëm 10 minuta për të karikuar një makinë, thekson GreenWay.
CEZ do të përqendrohet kryesisht në tregun e saj të brendshëm përpara se të zgjerohet në vendet ku ai operon duke përfshirë Poloninë, Sllovakinë, Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Ai mund të kërkojë gjithashtu që blerjet të rriten me ritme më të shpejta, tha z. Chmelik. “Ne do të shohim me përparësi dhe me shumë kujdes vendet ku jemi tashmë aktivë dhe presim që tregu të konsolidohet në pesë vitet e ardhshme, tha ai më tej.
Njësitë e energjisë, startup-et e teknologjisë dhe kompanitë e naftës janë duke luftuar ndërmjet tyre, për t’u vendosur si lojtarë dominues në zhvillimin e këtij biznesi të ri. Sipas bankës zvicerane UBS, rreth 360 miliardë dollarë do të duhet të shpenzohen në tetë vitet e ardhshme për të ndërtuar një infrastrukturë globale të stacioneve për automjetet elektrike, në mënyrë që të ecet me të njëjtin ritëm me atë të shitjeve të automjeteve elektrike.
Megjithatë, teksa kompani të ndryshme po shkojnë drejt prodhimit të automjeteve elektrike, ekziston rreziku që qeveritë në Europën Qendrore dhe Lindore të lëvizin ngadalë fillimisht e më pas për të shkuar drejt një tregu të përafërt me atë të shumë vendeve të Europës Perëndimore.
Në Poloni, një komb prej 40 milionë banorësh dhe një prej ekonomive më të mëdha të Europës Lindore, ka vetëm 2,981 makina elektrike, referuar të dhënave të përpiluara nga kompania suedeze, EV-volumes.com.
Megjithatë, Polonia e ka shënjestruar industrinë e automjeteve elektrike, si një pjesë e rëndësishme e strategjisë ekonomike dhe ka vendosur një objektiv prej 1 milion makinash elektrike deri në vitin 2025. Në Hungari ka rreth 3,128 makina elektrike, në Republikën Çeke ka rreth 2,473; në Norvegji rreth 239,000 dhe në Gjermani, 198,000. Hungaria ka vendosur një objektiv që deri në vitin 2020, ajo do të ketë rreth 30,000 makina elektrike.
Çmimi po kthehet në një ndër nxitësit kryesorë, tha Ivan Kondratenko, një analist që mbulon lëvizshmërinë elektrike në Frost & Sullivan në Varshavë. Padyshim që numri i automjeteve elektrike do të rritet në shtetet e Europës Lindore dhe asaj Qendrore, prandaj edhe ata duan të pajisen me infrastrukturën e nevojshme përpara se kjo gjë të ndodhë. Nëse ata investojnë tani në mënyrën më të mirë, është e sigurt që në të ardhmen do të kenë më pak probleme me të ardhurat potenciale, tha ai më tej.
Planet e zgjerimit
Kompania hungareze e naftës dhe gazit MOL ka filluar të ndryshojë strategjinë, duke prodhuar më pak automjete me motor me lëndë djegëse gjatë dekadës së ardhshme, tha Peter Ratatics, i cili drejton sektorin e shërbimeve të kësaj kompanie. “MOL planifikon të investojë deri në 30 milionë euro (34 milionë dollarë amerikanë) deri në fund të vitit 2020 për të ndërtuar një rrjet prej 700 stacionesh për karikimin e automjeteve elektrike në vende si në Hungari, Rumani, Kroaci, Slloveni, Sllovaki dhe Republikën Çeke”, tha më tej z. Ratatics.
“Investimi mund të gjenerojë afërsisht 10-15% të biznesit tradicional të shitjes me pakicë të kompanisë në 10 vitet e ardhshme dhe deri në 50% deri në vitin 2040. Në fund të këtij viti, sektori i shitjes me pakicë pritet të gjenerojë rreth 420 milionë dollarë amerikanë. Ne arritëm në përfundimin se për shkak të ndryshimit të rregullores dhe sjelljes së konsumatorëve, tregu i karburanteve fosile do të ndryshojë në dekadën e ardhshme, tha më tej z. Ratatics.
“Kjo do të ketë gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në biznesin tradicional të naftës dhe gazit në kompaninë MOL. Tani ne po përpiqemi jo vetëm të fillojmë ndërtimin e stacioneve të automjeteve elektrike, por edhe njohjen e mënyrave dhe strategjive të biznesit të ri të automjeteve elektrike.
Subvencionimet e BE-së
MOL, së bashku me kompaninë E.ON të Gjermanisë, HEP-in e Kroacisë, Petrol-in e Sllovenisë, njësinë hungareze të BMW-së dhe Nissan-it, janë pjesë e një projekti të subvencionuar nga BE-ja për të ndërtuar 252 stacione të shpejta dhe super të shpejta për karikimin e automjeteve elektrike në Republikën Çeke, Sllovaki, Hungari dhe Kroaci, Slloveni dhe Rumani. Edhe lojtarë më të vegjël si GreenWay po kërkojnë të përdorin subvencionet e BE-së për të vazhduar zgjerimin e tyre në këtë drejtim dhe të fitojnë sa më shumë pjesë të këtij tregu. GreenWay planifikon të ketë hapur rreth 630 stacione elektrike në Poloni deri në vitin 2020 dhe rreth 230 në Sllovaki.
“Kompania, e cila po ndërton tashmë stacionet e saj të parë super të shpejtë, do të synojë Republikën Çeke dhe Ballkanin, u shpreh themeluesi i saj Peter Badik.
GreenWay filloi instalimin e karikuesve për makinat elektrike në vitin 2015 dhe njësia e saj sllovake është anëtare e një konsorciumi që punon në një projekt rajonal të udhëhequr nga kompania e prodhimit të makinave elektrike Verbund në Austri. “Në këtë moment, pjesa që mund të përfitojnë kompani të ndryshme në këtë treg është shumë e madhe. Ky është një treg ku nuk ka shumë konkurrentë të fortë dhe mundësitë që ai të rritet dhe të zgjerohet në një treg më të madh teksa rajoni po mundohet për të ecur me të njëjtin ritëm me atë të Europës Perëndimore, janë të larta. /Monitor/