Përbërja e komisioneve parlamentare nisi seancën parlamentare të kësaj të enjte ku do të publikohet programi qeverisës dhe do të votohet për qeverinë e re.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se PD ka bërë propozime anëtarësh në më shumë se dy komisione, duke i kërkuar që të korrigjojë gabimin. Sipas tij i është dhënë e drejta maxhorancës për të garantuar shumicën.
“Të bëjnë pjesë vetëm në një komision, me përjashtim të një komisioni, atij të integrimit. E drejta i është dhënë maxhorancës për të garantuar shumicën në secilin prej komisioneve. PS është i vetmi grup parlamentar që është në këtë shumicë, dhe gjithë deputetët e tjerë janë në opozitë. Për të ruajtur këtë balancë, do i kërkoja PD që deri në seancën pasardhëse të ndreqë ndonjë gabim që mund të jetë bërë ku një deputet është vendosur në më shumë se dy komisione dhe këtu biem darkod. dhe deputetët që nuk bëjnë pjesë në asnjë grup, katër deputetët që përfaqësojnë LSI, apo PSD të depozitojnë brenda kohës së përcaktuar nga kryetarja e Kuvendit propozimet për tu vendosur në komisionet e përhershme parlamentare”, tha Balla.
Ndërsa deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se deputetëve dhe qytetarëve u duhet të paktën 2-3 ditë kohë të njihen me programin qeverisës që nuk e kanë parë ende. Ndërsa përsa i përket komisioneve ai thotë se PD ka bërë propozimet sipas rregullores.
“Një nga kërkesat ishte që programi i qeverisë, që do të diskutohet sot që është i panjohur do të duhet të ishte një minimum kohe, 2-3 ditë sa publiku të njihej e mbi të gjitha deputetët të njiheshin. Kërkesës për përbërjen e komisioneve, kërkesa jonë është paraqitur e plotë, bazuar në rregulloren e parlamenti është bërë shpërndarja e deputetëve. Nëse keni synim për të kufizuar anëtarësinë e opozitës kjo është çështje që s’ka te beje me ne, deputetët tanë janë këta, janë të shpërndarë në komisionet përkatëse në përputhje me rregulloren dhe është çështje tjetër nëse nuk gjeni gjuhën me njëri tjetrin”, tha ai.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se për përbërjen e komisioneve do të diskutohet seancën tjetër.
