Një egjiptian 35-vjeçar është ndaluar përkohësisht në aeroportin e Rinasit, pasi ishte shpallur në kërkim nga shteti i Kuvajtit në akuzën e “thyerjes së besimit”.
Sipas burimeve zyrtare, ai u ndalua për verifikim dhe rezultoi se kërkohej nga Interpol Kuvajt.
NJOFTIMI
Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kuvajtit, një shtetas egjiptian i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe verifikimeve të detajuara të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht të personave që shfaqin probleme apo dyshime gjatë intervistimit, me qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim, kanë ndaluar për verifikim shtetasin egjiptian me iniciale A. E.
Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi A. E., 35 vjeç, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Kuvajt, për veprën penale “Thyerje e besimit”, parashikuar nga Kodi Penal i Kuvajtit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Kuvajt, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
