Kryeministri Edi Rama ka vendosur të monitorojë personalisht administratën publike. Prej shumë kohësh, ai ka lëshuar akuza se në institucione ka shumë punonjës që po i nxijnë faqen qeverisë, ndërkohë që është planifikuar ngritja e një agjencie speciale vetëm për çështjet e administratës.
Në mbledhjen e së shtunës , qeveria ka miratuar një ligj për bashkëqeverisje. Qëllimi i ligjit në parim është një qytetarët të bëhen pjesë e qeverisjes, por nëse shihet më me kujdes ligji parashikon ngritjen e një agjencie për dialog dhe bashkëqeverisje, e cila do të jetë në varësi të kryeministrit. Drejtori i saj do të raportojë vetëm para kreut të qeverisë ndërkohë që në nenin 34 të këtij ligji parashikohet se kjo agjenci do të jetë monitoruese e administratës.
Kontrolli nga Agjencia ka si qëllim që, në kuadër të sigurimit të llogaridhënies dhe të ofrimit të shërbimeve publike, të garantojë kryerjen e veprimtarisë administrative nga institucionet e administratës shtetërore në mënyrë të shpejtë, transparente dhe me cilësinë më të lartë.
Agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative të institucionit të administratës shtetërore. Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune”, thuhet në nenin 34.
Procedurat për dërgimin e ankesave
Në lidhje me ankesat e qytetarëve, qeveria bëri me dije se ato mund të dërgohen në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam” ose kërkesë me shkrim. Sipas qeverisë kërkesat kryesisht mund të lidhen me kryerjen e kontrollit të veprimeve administrative sa u përket çështjeve që prekin interesat e një individi apo komuniteti. “Ankesat që i drejtohen Agjencisë për kontrollin e veprimtarisë administrative mund të jenë në format elektronik në platformën “Me ty për Shqipërinë që duam” ose në formë të shkruar. Grupet e interesit mund të kërkojnë kryerjen e kontrollit të veprimeve administrative të lidhura me çështjet që prekin individët apo komunitetin e përfaqësuar prej tyre. Duhen parashtruar në mënyrë konkrete arsyet dhe faktet mbi të cilat bazohet ankesa dhe duhet të jetë e qartë për të përcaktuar qëllimin e saj”, thuhet në nenin 35.
Ja çfarë ndodh pas dorëzimit të ankesave
Pas dorëzimit të ankesave, Agjencia do të shqyrtojë me kujdes çështjet nëse kanë nevojë për trajtim të posaçëm nga personat që shqyrtojnë korrupsionin. Pas këtij shqyrtimi, nëse konstatohen shkelje të rënda çështja i referohet prokurorisë kompetente. “Çështja, pas vlerësimit paraprak nga Agjencia dhe shqyrtimit, vlerësohet nëse ka nevojë për trajtim të posaçëm prej personave për shqyrtimin e rasteve antikorrupsion. Gjatë trajtimit të çështjeve në platformë, në rast verifikimi të indiceve, provave për ngjarjen korruptive, personat përgjegjës për shqyrtimin e rasteve antikorrupsion ia referojnë çështjen prokurorisë kompetente, në përputhje me legjislacionin procedural penal në fuqi”, thuhet në nenin 26.
