Sot përfundoi proçesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Enti i Statistikave pret që numri i banorëve rezidentë të arrijë në 1 milion e 850 mijë. Ndërkohë, si banorë jorezidentë në diasporë janë regjistruar pak mbi 200 mijë shtetas të këtij vendi.
E enjtja ishte dita e fundit e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Procesi filloi më pesë qershor dhe deri tani sipas Entit Shtetëror të Statistikave janë regjistruar mbi 1 milion e 813 mijë banorë brenda vendit. Zëvendësdrejtori i Entit të Statitikave, Ilmi Selami thotë se pritet që ky numër deri në fund të ditës së sotme të arrijë në 1 milion e 850 mijë.
Ndërkohë, numri i banorëve nga Maqedonia e Veriut të regjistruar në diasporë është pak mbi 200 mijë. Këta të fundit regjistrohen si banorë jorezidentë, por përfshihen në numrin e përgjitshëm të banorëve. Në diasporë më së shumti janë regjistruar në Zvicër, rreth 65 mijë, në Gjermani rreth 46 mijë dhe në Itali mbi 28 mijë.