Për ekspertin e ekonomisë, Zef Preçi, nuk ka argument logjik financiar për të rritur çmimin e energjisë elektrike, që u paralajmërua një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama. I ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, Preçi tha se ne varemi nga ‘Perëndia’, pra nga sasia e reshjeve që bien dhe jo nga ekonomia botërore, për shkak se burimet tona energjitike mbështeten mbi 90% në burime hidrike.
“Është një moment i rëndësishëm sa i përket efektit botëror. Te ekonomia shqiptare,nuk është e lidhur me atë botërore, burimet tona energjitike mbështeten mbi 90% në burime hidrike, pra ne varemi nga Perëndia nga reshjet jo nga ekonomia botërore. Nuk mund të flasim nëpër një krizë apokaliptike që do çonte në rritje çmimi. Në shumicën dërrmuese të kilovatoreve që harxhohen në Shqipëri, diku te 8.5 miliard në vit, janë prodhimi i vendit dhe ky kanal i transmetimit të krizës, energjia që importohet, është i lidhur më shumë me faktorët rrethanorë, jo ndikim i drejtpërdrejtë i krizës. Jemi akoma në një fazë papërsosmërie, por nuk duhen përdorur si shkak për të rritur çmimin. Shqetësim është koha kur ndërmerren, viti i parë i mandatit, me qëllimin që të amortizohen me vitet në vijim. Nuk shoh arsye, argument logjik financiar për të rritur çmimin”, tha ai.
Sipas ekspertit, kjo krizë është shkaktuar nga keqmenaxhimi i energjitikës dhe nga reformat e dështuara. Ai thekson se gjendja financiare e shpërndarjes dhe prodhimit të energjisë elektrike është shqetësuese, që sipas ekspertit janë thuajse të falimentuara.
“Pjesën më të madhe e ka problemi i keqmenaxhimit të energjetikës, më kryesore ngadalësia në rritjen e parametrave, pakësimit të shpenzimeve joprodhuese. Ka patur shpenzime luksi në degët e shpërndarjes së energjisë. Ka problematika me investimet e kryera, moskrijimi i tregut, mos integrimi i hidrocentraleve të vogla. Ka dhe probleme të mbartura që lidhen me eficiencës. Ngadalësia dhe dështimet në reforma kanë sjellë këtë situatë ku gjendja financiare e shpërndarjes dhe prodhimit është shqetësuese. Pritet të ketë një vendimmarrje të entit rregullator të energjisë për të penalizuar konsumatorin, atë që paguan dhe që është i rregullt me ligjin. Kriza botërore është kalimtare, problemet e menaxhimit të prodhimit dhe shpërndarjes, janë thuajse të falimentuara, kanë fitime fiktive, por jo reale nga aktiviteti. Edhe kur ka kriza botërore, efekte ne vendin tonë nuk vij në menjëherë, duhen të paktën 6 muaj, kohë e mjaftueshme për qeverinë për të ndërmarrë masa”, u shpreh Preçi.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ditë më parë një rritje të çmimit të energjisë deri 6 muajt e parë të 2022, teksa tha se me një krizë të tillë po përballet e gjithë bota. Kryeministri nuk cilësoi se sa do të jetë rritja e çmimit dhe as se kur do të fillojë të aplikohet.