Kryeministri Edi Rama ka nderuar me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike Gjeneral Major Abbas Ibrahim, për ndihmën që ka dhënë në shpëtimin e grave dhe fëmijëve nga kampet e Sirisë.
“Përshëndetje të gjithëve, sot jemi këtu për të nderuar një mik në ditë të vështira, i cili me shumë përkushtim na ka ndihmuar në mënyrë të pakursyer për të shpëtuar fëmijë dhe gra fatkeqe nga kthetrat e ferrit në kampet e luftës në Siri.
Hero është ai që ka për qëllim ta bëjë botën një vend më të mirë për të gjithë, dhe nuk ka një përshkrim më të saktë se kaq për gjeneralin Abass Ibrahim. Ai ka qenë pika jonë e referimit, ka qenë krahu jon ë i zgjatur në drejtim të atyre fëmijëve dhe grave, ka qenë shqiptari më i mirë, i pakursyer dhe pa asnjë interes tjetër përveç atij human.
Operacione komplekse, sot sidoqoftë pavarësisht vështirësive shumë fëmijë marrin frymë lirisht në atdheun e tyre, bëjnë një jetë të shëndetshme pranë familjarëve të tyre. Ishte një i panjohur që u bë prind për ta, dhe nuk u dorëzua deri në fund, deri kur personalisht i përcolli në derën e avionit. Gjenerali mishëron të gjithë kulturën e vendit të tij”, u shpreh mes të tjerave Rama.
