Kampionati kroat është kthyer në një nga kampionatet më të preferuara për futbollistët shqiptarë të cilët po e zgjedhin si destinacion, të cilin e shohin një trampolinë për të ardhmen e tyre. Një numër i konsiderueshme futbollistësh që sot luajnë për Shqipërinë, janë afirmuar pikërisht në Kroaci por mesa duket ky numër po vjen në rritje.
Pasi arriti të godiste në merkato me Myrto Uzunin, Lokomotiva e Zagrebit ka krijuar besim te shqiptarët dhe prej një muaji ka afruar në skuadër edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët luajnë me skuadrën e të rinjve. Sulmuesi Arbër Mehmetllari dhe mesfushori Indrit Tuci janë dy futbollistët të cilët janë tashmë pjesë e rëndësishme e skuadrës së të rinjve të Lokomotivës.
Në 2 ndeshje të luajtura me fanellën e Lokomotivës, Mehmetllari ka arritur të realizojë plot 4 gola ndërkohë që edhe Tuci po bën paraqitje të mira. Ai ka arritur të realizojë një gol që në debutim si edhe ka asistuar 2 herë në ndeshjen e tij të dytë, dy asiste që u kthyen në gola nga Mehmetllari. Në të kaluarën, Mehmetllari ka qenë pjesë e Shqipërisë U19 dhe me shumë gjasa, tashmë do të jetë pjesë e U21 të Shqipërisë
