Fëmijët e sëmurë me leuçemi në QSUNT po vuajnë mungesë ilaçesh për trajtimin e tyre. Sipas një vendimi të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dy institucionet përgjegjës, Ministria e Shëndetësisë dhe QSUNT kanë dështuar në sigurimin e një të drejte themelore për këtë kategori të shoqërisë, duke e konsideruar diskriminim.
POR ÇFARË KA NDODHUR?
Ankesa pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është bërë nga një shoqatë jofitimprurëse, e cila referuar ankesave të prindërve të këtyre fëmijëve dhe verifikimeve të tyre konstaton se bëhet fjalë për diskriminim të këtyre fëmijëve.
Bëhet fjalë për mungesë të ilaçeve: Doxorubicin, Metroteksat; Acid Folinik (Leucovorin); Mercaptopurina; Citozina që sipas përgjigjes që FSDKSH i ka dërguar komisionerit “është detyrë e spitalit plotësimi në vazhdimësi i nevojave për barna, filma, kite reagente dhe materiale mjekësore”.
Lexo ketu vendimin e Komisionierit per Mbrojtjen nga Diskriminimi
Sakaq, Ministria e Shëndetësisë në asnjë moment nuk ka reaguar ndaj Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, qoftë për vënien në dijeni të ankesës apo edhe e thirrur si palë gjatë procesit të shqyrtimit.
Ndërsa QSUNT në përgjigjen e saj thotë se disa prej këtyre ilaçeve janë në mugnesë aktualisht “për shkak të dështimit të procedurave të prokurimit, si nga ana e MSHMS-së, në cilësinë e organit qëndror blerës, ashtu edhe nga ana e QSUNT-së në cilësinë e autoritetit kontraktor, mbas delegimit të bërë nga MSHMS, për zhvillimin e procedurave të prokurimit nga vetë autoriteti kontraktor për këto barna”.
Procedurat e prokurimit nga ana e QSUNT-së, janë zhvilluar dy herë radhazi, në datën 10.01.2020 dhe 20.01.2021 për barin Methotrexate50 mg/2ml, flakon/ampulë dhe 06.06.2020 për barin Mercaptopurine 50mg tabletë, sipas parashikimeve ligjore dhe referuar pikës 1/b të nenit 24, të ligjit nr.9643/2006 “Për prokurimin publik” janë anuluar për shkak të mungesës së ofertave ekonomike. Në lidhje me barin Acid Folinic, QSUNT sqaron se, ky bar është planifikuar për prokurim dhe ndodhet në listën e barnave të planifikuara nga QSUNT, por aktualisht nuk disponojnë ndonjë marrëveshje kuadër dhe nuk është në listën e barnave të deleguara nga MSHMS, për kryerjen e procedurave të prokurimit nga QSUNT-ja.
“QSUNT, sqaron se, në lidhje me situatën e krijuar mbi dështimin e procedurave të prokurimit dhe mungesën e barnave sipërcituar, si dhe për barnat të cilat nuk janë deleguar dhe prokurohen nga MSHMS, por për të cilat QSUNT ka mungesë aktualisht, i është raportuar MSHMS-së, në cilësinë e organit qëndror blerës me shkresën nr.1189 prot., datë 22.04.2021. QSUNT sqaron se, ky institucion nuk kryen rimbursime ose kompesime për pacientët, por ofron vetëm mbulimin e shpenzimeve për nevoja trajtimi që u jepet pacientëve të hospitalizuar ose ambulator”, thuhet më tej në letrën sqaruese të QSUNT.
Sipas investigimeve të kryera nga shoqata jofitimprurëse që ka bërë ankesën pranë komisionerit dhe bazuar në rrëfimet e prindërve të fëmijëve që marrin trajtim në shërbimin e onkohematologjisë, rezulton se kostoja për trajtimin e një fëmije të sëmurë me leucemi i kalon 200.000 (dyqind mijë) lekë në muaj, që sipas palës ankuese dalin nga xhepat e qytetarëve, të cilët nuk rimbursohen kurrë.
Referuar faturave të prindërve të ndryshëm që kanë fëmijë me leucemi, aktet e administruara në kuadër të procedurave të prokurimit që kanë të bëjnë me përllogaritjet e çmimit për këto barna, informacionit të bërë publik në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por edhe referuar strategjive dhe planeve kombëtare të veprimit kundër kancerit, rezulton se, barnat dhe trajtimet për këtë sëmundje, kanë një kosto të lartë.
Pas shqyrtimit të çështjes, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi arrin në përfundimin se, fëmijët e sëmurë me leucemi, i janë nënshtruar një trajtimi të padrejtë dhe të pafavorshëm, për shkak të mungesës së barnave në Shërbimin e Onkohematologjisë, Pediatrike, në QSUNT.
Në vendimin e Komisionerit thuhet se: Në mungesë të një justifikimi objektiv dhe të arsyeshëm, Komisioneri arrin në përfundimin se, QSUNT dhe MSHMS, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë diskriminuar fëmijët me leucemi në Shërbimin e Onko-
Hematologjisë Pediatrike në QSUNT, për shkak të gjendjes shëndetësore, moshës dhe gjendjes ekonomike. Këto dy institucione kanë dështuar që të marrin në konsideratë nevojat e veçanta që kanë fëmijët, të cilët përballen me sfida të veçanta për sa i përket shëndetit, për shkak të zhvillimit të tyre fizik. Të gjitha aktet dhe instrumentat e mësipërm ligjorë, imponojnë një mbrojtje të posaçme për fëmijët, me qëllim gëzimin prej tyre të standartit më të lartë të arritshëm të shëndetit; nevojat e veçanta që paraqesin në trajtim, sëmundje të rënda, sikundër është leucemia; si dhe kushtet akoma më të pafavorshme që vendoset kategoria e fëmijëve me leucemi, të cilët për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike e kanë të pamundur që në mungesë të ofrimit të trajtimit shëndetësor pranë QSUNT, të sigurojnë në mënyrë private barnat e nevojshëm. Barazia dhe mosdiskriminimi imponojnë jo vetëm ndalimin e diferencës në trajtim, por edhe detyrimin për të adresuar ndryshe nevojat e veçanta që kanë grupe të ndryshme të cilët janë më shumë të cenueshëm ose vulnerabël. Dështimi për të përmbushur detyrimet e mësipërme, përbën diskriminim.
Sakaq, Komisioneri rekomandon Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që të marrin masa për të rishikuar procedurat për sigurimin e barnave, në kushte të tilla emergjente dhe mundësinë e rimbursimit të shpenzimeve për barnat që sigurohen për domosdoshmëri shërbimi nga ana e vetë pacientëve.
