Të hënën nisi viti i ri akademik, por duket se studentët janë shumë të pakënaqur, jo vetëm për vështirësitë që ka sjellë pandemia, por edhe për vështirësitë ekonomike në përballimin e studimeve të larta në Shqipëri. Në 18 tetor disa studentë njëkohësisht dhe aktivistëve të lëvizjes studentore “Për Universitetin”, hapën një banderolë në formë proteste përpara universitetit nën moton “Arsim publik falas”!
Në një intervistë për Tirananews.al, Emiliando Kita, student njëkohësisht dhe aktivist i lëvizjes studentore “Për Universitetin” shpjegon se problemet për studentët u shtuan që në vitin 2014 me ligjin e Arsimit të Lartë. “Sapo ky ligj kaloi në 2015-tën u dyfishuan tarifat tona. Këto tarifa të larta sëbashku me shpenzimet e tjera të detyrueshme për strehim, ushqim, libra, transport publik, veshmbathje etj ua pamundësojnë arsimin mijëra maturantëve. Studentët sot nuk vijnë në universitetet për të marrë dije, por diplomë.”, sqaron aktivisti. Ndërkohë “Paktin mbi Universitetin”, të arritur në vitin 2018 pas protestave të mëdha, ai e quan të dështuar. “Asnjë nga kërkesat tona nuk është plotësuar, pasi ose janë deformuar, ose plotësuar pjesërisht. Për të argumentuar ndalem në pesë pika: nuk ka investime në universitete, borde me persona të tjerë, por njësoj të komanduar nga qeveria, ndërhyrja në universitete përmes ministrave përgjegjës, mos rritja e buxhetit dhe asnjë nismë për rrëzimin e ligjit klientelist për arsimin e lartë. Në këto kushte, protestat masive mbeten e vetmja rrugë.”, shpjegon Kita.
Intervista e plotë
Ju keni thënë se nuk keni vetëm sot probleme, por keni probleme që në vitin 2014 me ligjin e Arsimit të Lartë, i cili i ka pamundësuar arsimin mijëra maturanteve. Përse dilni në këto përfundime?
Ligji për Arsimin e Lartë mundëson financimin e universiteteve private me fonde publike. Sapo ky ligj kaloi në 2015-tën u dyfishuan tarifat tona. Këto tarifa të larta se bashku me shpenzimet e tjera të detyrueshme për strehim, ushqim, libra, transport publik, veshmathje etj ua pamundësojnë arsimin mijëra maturantëve. Studentët sot nuk vijnë në universitet për të marrë dije, por diplomë.
Ne jemi të pa përfaqësuar pasi pesha e votës studentore prej 10% është e papërfillshme.
“Pakti mbi universitetin” që u realizua pas protestave të mëdha të studentëve të vitit 2018, sa i ka përmbushur pritshmëritë tuaja?
Ky pakt ishte i dështuar që në nisje pasi nuk kishte qellim të merrte për bazë kërkesat e studenteve, por të përmbushte propagandën e qeverisë.
Asnjë nga kërkesat tona nuk janë plotësuar pasi ose janë deformuar, ose plotësuar pjesërisht. Për të argumentuar ndalem në pesë pika: nuk ka investime në universitete, borde me persona të tjerë, por njësoj të komanduar nga qeveria, ndërhyrja në universitete përmes ministrave përgjegjës, mos rritja e buxhetit dhe asnjë indicie për rrëzimin e ligjit klientelist për arsimin e lartë. Në këto kushte, protestat masive mbeten e vetmja rrugë.
Cilat janë sot kushtet e një studenti?
Sipas anketës së Qendrës Gjermane për Kërkime në Arsimin e Lartë, 73% e studentëve shqiptarë kanë deklaruar se kanë probleme financiare, 35% se këto probleme janë serioze dhe 17% se situata ekonomike është tejet e rënduar.
Studentet paguajnë՞ përtej çdo mundësie, dhe jetojnë në kushte mbijetese. Studenti është kthyer në klient dhe dija në mall që shitet e blihet.
Kriteret ekonomike si tarifa, paratë për kredite, paratë për konvikte, paratë për mensa, paratë për transport publik, paratë për librat, paratë për gjithçka janë vjedhje e pastër antikushtetuese sepse Kushtetuta e ka të zezë mbi të bardhë “Arsimi i lartë kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie”
Pse mendoni që shumë nga moshatarët tuaj zgjedhin të studiojnë jashtë?
Një pjesë e madhe e universiteteve janë janë falas dhe me kushte shume të mira për të studiuar, pasi shtetet atje e kanë prioritet arsimin, ndryshe nga shteti ynë që ka prioritete të tjera, si për shembull të dërgoje satelite në hapësire.
Edhe më e trishtë se varfëria apo pamundësia ekonomike për të ndjekur studimet e larta, është fakti se universiteti nuk po shihet më si shpresë sociale dhe po zëvendësohet nga emigrimi apo braktisja e tij.
Kësisoj, koha për të vepruar dhe ndaluar rënien në greminë është tani! Sot, se nesër do të jetë vonë!
Ne, aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin” do të vazhdojmë sërish sensibilizimin e studentëve për të rrëzuar Ligjin për Arsimin e Lartë.
Ne kërkojmë një universitet ku kultivohet dashuria për dijen, mendimi kritik dhe ku e vetmja forcë drejtuese është demokracia e universitarëve. Vota studentore duhet të jetë 50% dhe në çdo fakultet të ketë unione studentore dhe asamble të përvitshme. Ne kërkojmë që dija të mos jetë mall dhe studenti të mos katandiset në klient, por të bëhet bashkëthemelues i universitetit. Të gjitha këto arrihen vetëm nëpërmjet organizimit. Ndaj sot u bëjmë thirrje të gjithë studentëve të luftojnë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre, sepse universiteti prej kohësh gjendet në rrezik/Tirananews.al