Nga Mero Baze
Viti 2018 ishte viti i parë në historinë e pluralizmit, kur një parti qeverisi e vetme Shqipërinë. Prej vitit 1990, edhe kur një parti i ka pasur votat, siç ka qenë viti 1992, 1996, 1997 etj, askush nuk ka formuar i vetëm një qeveri.
Eksperimenti populist i Edi Ramës për të qeverisur me qytetarët, është një eksperiment social, por jo një produkt politik. Shoqëria nuk kënaqet duke zgjidhur halle, por duke mbyllur konflikte politike. Dhe sado halle që të zgjidhë bashkëqeverisja me popullin, njerëzit janë të prirur të vazhdojnë të kërkojnë edhe më shumë në formën e pakënaqësisë, dhe jo të pushojnë të kënaqur.
Ndaj dhe eksperimenti i parë i Edi Ramës për të qeverisur i vetëm, krijoi dy probleme.
Problemi i pare, është agresiviteti politik kundër qeverisë, që rrit perceptimin e një konflikti permanent politik. Kori anti-qeveritar forcohet nga çdo zë i përjashtuar nga qeverisja.
Perceptimi se ti ke shumë faktorë kundër qeverisë, në rrugë, në shtyp, apo në shoqëri civile, natyrisht që nuk përfaqëson nivelin e kundërshtimit që ke në shoqëri, por prodhon tension.
Në historinë e qeverisjes, rrallë ka ndodhur që një qeveri të ketë kaq shumë shtyp kritik, thuajse 90 për qind kundër saj, kaq shumë zëra politikë kundër, kaq shumë element të shoqërisë civile kundër, dhe mbi të gjitha, kaq pak përfitime nga puna e saj në komunikimin me qytetarët.
Qeverisja vetëm nga ana tjetër ka shtuar orekset e socialistëve për pushtet, dhe ka prodhuar pakënaqësi të reja nga pamundësia për të pasur pushtet, në një sistem i cili prodhon më shumë bejlerë të vegjël brenda tij, se sa qendra pushteti.
Ndaj, nga pikëpamja politike, qeverisja vetëm ka prodhuar më shumë tensione politike, se qeverisja në koalicion.