Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian votoi sot me 60 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime raportin e eurodeputetit Lukas Mandl mbi bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër krimit të organizuar.
Në raportin e eurodeputetit Mandl artikulohet qartë, se krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor është i rrënjosur thellë në histori dhe rrjedhimisht nevojiten reforma të dukshme në fushën e shtetit ligjor dhe krimit të organizuar.
Raporti Mandl kërkon gjithashtu hapjen e arkivave të shërbimeve të sigurisë nga e kaluara komuniste. “Veçanërisht për shkak të rrënjëve historike të krimit të organizuar, një nga objektivat kryesore të përmendura në raportin e Parlamentit Evropian do të jetë hapja e arkivave mbi veprimtarinë e shërbimeve të inteligjencës në shtetet e Ish-jugosllavisë”, është shprehur Mandl para votimit.
Grupimi i partive popullore europiane, të cilit i përket eurodeputeti Lukas Mandl, synon që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë një histori të qëndrueshme në trajtimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
