Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka rihapur konkursin e gradave. Në Akademinë e Sigurisë u zhvillua provimi me shkrim për gradën “nënkomisar”.
Fitimi i gradës nënkomisar bëhet nëpërmjet pjesëmarrjes në një proces vlerësimi konkurrues nga një komision gradimi. 100 efektivë policie me gradën inspektor garojnë për gradën nënkomisar, ku vetëm 50 prej tyre do të ngrihen në detyrë. Pjesëmarrësit në këtë garë përfunduan të martën testimin me shkrim ndërsa disa ditë më vonë do t’i nënshtrohen dhe intervistës me gojë.
Grada nënkomisar mund të përfitohet nga punonjësit të cilët kanë 5 vite në detyrë.
Punonjësit e policisë për të arritur këtë gradë duhet të plotësojnë disa kritere, ndër të cilat është të kenë vlerësim të aftësive individuale të punës jo më të ulët se 70% të vlerësimit të përgjithshëm. Kandidatët gjithashtu duhet të kenë përfunduar ciklin e parë të studimeve në arsimin e lartë, trajnimin e detyrueshëm për gradë, mos të kenë procedime penale apo procedim disiplinor, si dhe të plotësohet koha e qëndrimit në gradën e mëparshme.
Vendimi për rihapjen e konkurrimit për përfitimin e gradave vjen 3 muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që vendosi se gradat policore do jepen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Me këtë vendim u ndryshua praktika pothuajse 10-vjeçare që gradat jepeshin me vendim gjykate. Ky vendim u mor pas kërkesës së Policisë së Shtetit, që kishte konstatuar abuzim me procesin e gradimit.
Ndërkohë krahas gradës nënkomisar pritet që në vijim policia të hapë dhe konkursin për gradat e tjera, komisar dhe kryekomisar, drejtues dhe drejtues i parë. Hapja e konkursit për këto grada pritet të promovojë efektivët që kanë eksperiencë të gjatë në polici dhe të emërohen në pozicione drejtuese. Ndërkohë gradat drejtues i lartë jepet nga ministri, kurse drejtues madhor nga Këshilli i Ministrave.
