Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka ngritur shqetësimin e tij, se kjo forcë politike është drejt përçarjes. Referuar debatit të brendshëm brenda partisë, ai u shpreh se është krijuar një tension dhe deputetët janë ndarë në dy grupe, ata të Bashës dhe të Berishës.
Teksa foli për krizë, deputeti demokrat e bëri të qartë se ai vetë nuk është pjesë e krizës, pasi siç u shpreh në PD nuk është për asnjë palë, por për idealet e veta.
“Unë nuk jam me asnjë nga palët dhe jam vetëm me Partinë Demokratike. PD është elektorati i saj, elektorati i saj një pjesë e madhe vjen nga kjo shtresë anti komunistë. Kjo është një parti e madhe që mbledh këdo që mendon në këtë mënyrë. Kriza reale e PD është sepse nuk ka luftë ideologjike. Unë e shikoj krizën më të madhe, atë ideologjike. Është kriza e të djathtë shqiptare dhe pse ka përfunduar në një rivalitet mes dy individësh që për mua është rivalitet nëpërmjet pushtetit. Për mua si Alizot është e rëndësishme opozita dhe PD, e cila kushdo që të fitojë këtë betejë do jetë më e vogël se më parë. Duke qenë më e vogël mbretëron Edi Rama në Shqipëri. Kjo është rrezik për shqiptarët, për PD dhe për kombin shqiptar”, tha deputeti Alizoti në emisionin “Opinion”.
Aliztoi sqaroi edhe debatin brenda grupit parlamentar dhe atë çfarë i kishte kërkuar Lulzim Bashës, në mbledhjen e grupit tre ditë më parë. Sipas tij, brenda PD tensioni është i madhe dhe se deputetët po intimidohen nga të dyja palët.
Ai u shpreh se Lulzim Bashës i kërkoi që të diskutonin për krizën brenda PD, por që nuk mori asnjë përgjigje.
Pyetje: Në çfarë rrethana ndodhi përplasja juaj?
Tomor Alizoti: Duke pasur dy grupime të ashpërsuara, tensioni është aq i madh sa të gjithë kanë marrë rolin e tifozëve. O je me mua, o nuk je me mua.
Sot grupi që është më shumë në siklet është grupi i deputetëve, të cilët po intimidohen nga të dyja palët. Çfarë është e papranueshme në këtë situatë është linçimi, që vjen nga tiparet enveriste. Kjo është fatkeqësi.
Pse unë nuk jam me palët? Sepse unë nuk jam pjesë e krizës. Kriza ka ardhur nga dy figurat e rëndësishme, nga figura e rëndësishme e PD, që ka një histori të madhe në PD dhe është përplasur me kryetarin aktual për situatën në PD. Kjo gjë nuk më përfshin as mua dhe as deputetët e tjerë. Por meqë ata janë përfshirë në këtë përplasje kërkojnë që njerëzit të jenë o me ata, o kundra tyre.
Unë nuk jam pjesë e krizës dhe nuk ka pse të jem palë me askënd. Për mua është PD që është pranë përçarjes. Sepse kushdo që do fitojë betejën janë krijuar dy grupe.
Pyetje: Çfarë kërkuarat konkretisht?
Tomor Alizoti: Zoti kryetar a mund të diskutojmë për situatën që është në PD?! Unë mora nismën që të diskutonim dhe arrita në një koncept që o flitet tani o heshtet përgjithmonë. Basha dëgjoi dhe nuk bëri asnjë reagim. A mundte të flasim për krizën në PD?!. Ky ishte thelbi i bisedës.
Situata në PD ka degraduar kaq thellë dhe mua kjo më shqetëson shumë. Unë nuk dua çarjen e PD. PD është drejt çarjes. Personat që janë pjesë e konfliktit kanë një përgjegjësi historike. Nëse ata janë të aftë dhe të mbajnë një përgjegjësi historike, përgjegjësia do bjerë mbi ata. Unë prandaj fola dhe i bëj thirrje demokratëve që të mos lejojnë përçarjen. Lufta brenda llojit është shumë e ashpër. Unë si një demokrat i thjeshtë, kam një mision. Roli i kësaj partie është më i madh sesa dy persona. Beteja është e të dyve, por më e keqja është se në 30 vjet demokraci Shqipëria nuk prodhoi një elitë të mirë politikanesh.