Dita e 8 marsit lindi si ditë e shënuar për gratë dhe vajzat në mbarë botën në përkujtim të lëvizjes për të drejtat e tyre. Festë dhe protestë cilësohet kjo ditë në gjithë botën. Festë për ato çfarë janë arritur e protestë, për shumë të drejta të tjera që gratë dhe vajzat meritojnë.
Por ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, duke uruar këtë ditë, ka zgjedhur të veçojë ato gra dhe vajza që sakrifikojnë pa marrë gjë në këmbim, “heroinat” e heshtura që nuk i “shohim” nga zyrat, që nuk janë pjesë e statistikave zyrtare, por që ia marrim si të mërqënë kontributin për familjen dhe edukimin e brezave të rinj në një kohë gjithnjë e më të turbullt.
Në një postim në rrjetet sociale shoqëruar me një foto të grave artizane, Bushati shkruan se një shoqëri më e zhvilluar dhe më e drejtë është ajo që nuk e sheh çështjen gjinore si “çështje kuotash”, por pjesë të pandashme të progresit.
Sot është dita të reflektojmë para së gjithash për gratë dhe vajzat e harruara, thotë ish ministri, “fuqia e butë e të cilave mban në kmëmbë shoqërinë tonë.
Postimi i plotë i Bushatit:
PËR VAJZAT DHE GRATË E HARRUARA!
Ka shumë vajza dhe gra ky vend që duhet ti çmojmë më shumë. Ti çmojnë bashkëshortët, fëmijët, vëllezërit, komuniteti, politika, shoqëria. E kam fjalën për vajzat dhe gratë që zakonisht nuk i “shohim” dot nga zyrat. Për vajzat dhe gratë që nuk janë pjesë e statistikave zyrtare. Janë ato vajza dhe gra që nuk ua dimë as emrat, as përpjekjen dhe as mundin. Vajza dhe gra, të cilave ia marrim për të mirëqenë kontributin për familjen dhe edukimin e brezave të rinj në një kohë gjithnjë e më të turbullt. Kam takuar shumë vajza dhe gra që sakrifikojnë papushim për një shoqëri më të denjë pa marrë mirënjohjen në këmbim. Shqipëria që dëshirojmë t’i lemë gjeneratave të tjera duhet të kthejë vëmendjen tek vajzat dhe gratë e harruara, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë. Një shoqëri më e zhvilluar dhe më e drejtë është ajo shoqëri që nuk i sheh çështjet gjinore thjesht dhe vetëm si çështje “kuotash”, por si pjesë e pandashme e progresit. Prandaj sot është dita të reflektojmë para së gjithash për vajzat dhe gratë e harruara, fuqia e butë e të cilave mban në këmbë shoqërinë tonë. Gëzuar 8 Marsin!
