Mjediset sportive, fushat dhe stadiumet ku luhen ndeshjet zyrtare të kategorive inferiore kanë probleme të ndryshme, ndonjëherë serioze.
Por nëse frekuenton stadiumin Korabi në Peshkopi mahnitesh se në ç’kushte luhen ndeshjet e Kategorisë së Parë.
Rrethimi i jashtëm më keq se sa stallat e bagëtive. Kushdo mund të hyjë pa kurrëfarë pengese brenda impiantit ku luhen ndeshjet e futbollit.
Ndërkohë tribuna VIP mund të konsiderohet më e veçanta në vend. Madje në kohë me reshje dhe erë ajo mund të rrezikojë jetën e tifozëve. Mushamatë janë grisur, ndërkohë llamarinat mund t’u bien në kokë.
“Platforma” ku qëndrojnë gazetarët dhe operatorët një rrezik tjetër shumë i madh. “Ballkoni” një metër para tribunës VIP më e rralla në Shqipëri. Nuk dihet kush dhe si e ka sajuar atë, por jeta e reporterëve këtu vihet në rrezik. Sakaq kushtet në të cilat ata raportojnë janë mjaft të vështira.
Për çudi dhjetra punonjës policie rrethojnë tribunën VIP, thua se po sigurojnë rend dhe qetësi. Ata duhet të kërkojnë mbylljen e këtij stadiumi, ai është totalisht larg çdo standarti, përbën rrezik për jetën e tifozëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë.
Vite më parë u premtua ndërtimi i një impianti të ri, por ëndërra ka mbetur në sirtar, e parealizuar.
Një gjë nuk është e qartë: A ka dijeni FSHF-ja për gjendjen e këtij stadiumi dhe si është dhënë leje për t’u luajtur ndeshje në këto rrethana?