Hetimi mbi hetimin e dosjes së famshme 339 tashmë është më i rëndësishëm edhe se vetë dosja. Ai hetim do të dëshmonte lidhjet e tjera okulte, shantazhin dhe pazaret e të gjitha llojeve e politikës me segmente të drejtësisë”, tha të premten analisti Lorenc Vangjeli, në emisionin “Java në RTSH”.
“Përgjimet e kësaj dosjeje kanë qenë të njohura prej shumë kohësh. Mbi këtë është ndërtuar e gjithë historia që po jetojmë. Unë jam dëshmitar sesi kolegu Vangjeli e ka bërë publike i pari ekzistencën e kësaj dosjeje dhe të hetimit në një emision televiziv, tek Opinion-i i Fevziut që në nëntor të vitit 2017. Eshtë e qartë se ajo nuk është hetuar në kohën e duhur. Prokurorë të caktuar e kanë përdorur atë për shantazh, për politikë dhe ndoshta edhe për para”, komenton analisti Preç Zogaj, që insiston se hetimi për vjedhjen e votave duhet të vazhdojë gjithashtu edhe më tej sepse nuk mund të parashkruhet.
Sipas Vangjelit, që nga nëntori i largët i vitit 2017, me këtë dosje nuk ka ndodhur pothuajse asgjë. “Hetimi ka rifilluar me ndryshimin e prokurorëve të çështjes dhe po tentohet tani të shtyhet përpara. Janë qindra orë përgjime të pazbardhura ende. Por është e rëndësishme të thuhet se është shumë e habitshme sesi kryetari i PD-së që e dinte me detaje këtë histori, e përdor sot atë si kalin kryesor të betejës politike që e çoi deri në djegien e mandateve parlementare”, tha Vangjeli.
Vangjeli përmendi gjithashtu se ka pasur dy fushata sulmesh kundër kryetarit të bashkisë së Durrësit, në vjeshtën e dimrin e 2017-ës dhe në dimrin e vitit të shkuar, kur nga një anë pothuaj të gjithë deputetët e PD-së kërkonin burgosjen e tij dhe nga ana tjetër, Dako i padiste ata rast pas rasti në prokurori për shpifje. “Por në të dy herët, këto fushata u mbyllën si me komandë”, tha Vangjeli.
